

Një ngjarje e rëndë rrugore është regjistruar mëngjesin e sotëm në qarkun e Fierit, në aksin “Levan–Tepelenë”, ku një 39-vjeçare ka humbur jetën si pasojë e përplasjes së dy automjeteve.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 07:20.
Shtetasja me inicialet N. A., rreth 39 vjeçe, e cila drejtonte një automjet tip “Kia”, është përfshirë në një përplasje me një automjet tip “Benz”, që drejtohej nga shtetasi P. M.
Si pasojë e përplasjes së fortë, 39-vjeçarja ka ndërruar jetë në vendngjarje. Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tip “Benz”, P. M., si dhe pasagjeri që ndodhej në këtë automjet, shtetasi S. R., janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia dhe grupi hetimor kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan në aksident.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






