Transmetuar më 07-03-2026, 20:26

Trupi i njeriut mund të jetojë edhe pa këto 4 organe – i ke të gjitha?

Trupi i njeriut është një sistem biologjik shumë kompleks dhe nuk mund të funksionojë pa disa organe jetike si truri, zemra dhe mushkëritë. Megjithatë, jo të gjitha organet janë të domosdoshme për jetën. Disa prej tyre mund të hiqen pa shkaktuar probleme serioze për organizmin.

Shpesh këto organe konsiderohen si “mbetje” evolutive nga paraardhësit tanë, të cilat sot kanë shumë pak ose aspak funksion. Disa të tjera kanë një rol të caktuar, por organizmi mund të përshtatet edhe pa to.

Këto janë katër organet pa të cilat njeriu mund të jetojë.

Apendisiti

Apendiksi ose siç i thonë, apendisti, është një strukturë e vogël që lidhet me zorrën e trashë dhe ndodhet në anën e djathtë të barkut. Shumë njerëz gjatë jetës përballen me një problem të quajtur apendicit, një inflamacion i apendiksit që mund të bëhet i rrezikshëm nëse shpërthen.

Kur shfaqen shenjat e apendicitit, zakonisht kryhet një ndërhyrje kirurgjikale për ta hequr atë. Kjo procedurë quhet apendektomi dhe zakonisht lë vetëm një shenjë të vogël në trup, pa pasoja serioze për shëndetin. Edhe pse shkencëtarët vazhdojnë të studiojnë funksionin e tij, dihet se njerëzit mund të jetojnë normalisht edhe pa apendiks.

Shpretka

Shpretka është pjesë e rëndësishme e sistemit imunitar dhe ndodhet në pjesën e sipërme të majtë të barkut. Ajo ndihmon trupin të luftojë infeksionet duke prodhuar dhe ruajtur qeliza të bardha të gjakut.

Megjithatë, në rastet kur shpretka dëmtohet ose çahet, mund të jetë e nevojshme heqja e saj. Pas heqjes, organe të tjera, veçanërisht mëlçia, mund të marrin përsipër disa nga funksionet e saj dhe të vazhdojnë filtrimin e qelizave të gjakut.

Adenoidet ose mishi në hundë

Adenoidet, të njohura shpesh si “kretat e hundës”, ndodhen pas hundës dhe mbi qiellzë. Tek fëmijët ato kanë një rol mbrojtës, pasi ndihmojnë në kapjen e baktereve dhe mikrobeve që mund të hyjnë në organizëm.

Megjithatë, me rritjen e moshës këto struktura humbasin rëndësinë e tyre dhe shpesh zvogëlohen ose zhduken deri rreth moshës 13 vjeç. Në disa raste ato hiqen edhe tek fëmijët për të përmirësuar frymëmarrjen dhe për të reduktuar infeksionet e shpeshta të sinuseve.

Fshikëza e tëmthit

Fshikëza e tëmthit është një organ i vogël në formë dardhe që ndodhet poshtë mëlçisë. Funksioni i saj kryesor është të ruajë dhe të çlirojë tëmthin, një lëng që prodhohet nga mëlçia dhe ndihmon në tretjen e yndyrnave.

Pas ngrënies, tëmthi kalon nga fshikëza e tëmthit në zorrën e hollë për të ndihmuar tretjen. Megjithatë, ky organ është i prirur ndaj disa sëmundjeve, si gurët në tëmth.

Kur fshikëza e tëmthit hiqet, tëmthi kalon drejtpërdrejt nga mëlçia në sistemin tretës. Shumica e njerëzve jetojnë normalisht edhe pa të, megjithëse shpesh këshillohet të shmangen ushqimet shumë të yndyrshme pasi tretja e tyre mund të jetë më e vështirë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit