

Një ngjarje e rëndë është raportuar në Itali, ku një 47-vjeçare shqiptare ka humbur jetën si pasojë e një diagnoze të gabuar mjekësore. Sipas mediave italiane, gruaja ndërroi jetë pasi vuante nga Kanceri i qafës së mitrës, i cili nuk ishte zbuluar në kohë për shkak të rezultateve të pasakta të analizave.
Bëhet e ditur se gruaja kishte kryer tre analiza Pap Test në një laborator mjekësor, gjatë viteve 2016–2019. Rezultatet e këtyre ekzaminimeve kishin dalë negative, duke përjashtuar praninë e infeksioneve apo problemeve serioze shëndetësore.
Megjithatë, disa vite më vonë u konstatua se analizat kishin qenë të pasakta, ndërsa sëmundja kishte vijuar të përparonte deri në diagnostikimin e Karcinomës skuamoze të qafës së mitrës.
Sipas raportimeve, 47-vjeçarja iu nënshtrua trajtimeve të gjata me kimioterapi, si me metoda tradicionale ashtu edhe eksperimentale, por gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua me kalimin e kohës. Ajo ndërroi jetë në nëntor të vitit 2023.
Për të shmangur një proces gjyqësor, laboratori që kishte kryer analizat vendosi të arrijë një marrëveshje me familjarët e viktimës. Si pjesë e kësaj marrëveshjeje, familja e saj është dëmshpërblyer me një shumë prej 300 mijë eurosh.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






