

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka sqaruar rolin e efektivit të policisë Rezart Kuçi, i cili u arrestua këtë të shtunë si pjesë e një hetimi për lidhje me një grup kriminal.
Sipas SPAK, Kuçi, aktualisht shef seksioni në Policinë Shkencore në Kukës, dyshohet se ka ndihmuar grupin kriminal të drejtuar nga Inez Hajrulla duke ofruar informacione dhe mbështetje logjistike për aktivitetin e tyre të paligjshëm.
Dyshimet e prokurorisë
Sipas hetimeve, polici akuzohet se ka kryer disa veprime në favor të grupit kriminal, ndër të cilat:
Sigurim logjistike për transportin e lëndëve narkotike
Nxjerrje të informacioneve konfidenciale mbi kontrollet policore
Ndërhyrje në pajisje celulare duke fshirë të dhëna me interes për hetimin
Përdorim të paligjshëm të sistemit kufitar TIMS për interesa të personave të përfshirë në aktivitet kriminal
Komunikim të koduar përmes aplikacionit SKY ECC
Lidhjet me ngjarje kriminale
Sipas SPAK, në vitin 2025, kur u ekzekutuan Gentjan Qarri dhe Bledar Birçaj – ngjarje për të cilat hetuesit dyshojnë se qëndron grupi i Inez Hajrulla – Kuçi mbante detyrën e shefit të hetimit të krimeve në Vlorë.
Gjatë karrierës së tij në polici, ai ka shërbyer gjithashtu në disa poste të tjera, përfshirë në Lushnjë dhe si shef i krimeve në Komisariatin Nr. 1 në Tiranë.
Trafiku ndërkombëtar i drogës
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se Kuçi dyshohet të ketë qenë bashkëporositës i një sasie prej 400 kilogramësh kokainë, e trafikuar nga Spanja drejt Gjermania në dhjetor të vitit 2020, e cila u sekuestrua nga autoritetet gjermane.
Sipas SPAK, ai dyshohet se ka bashkëpunuar me Armen Memishaj, i shpallur në kërkim, si dhe me anëtarë të tjerë të grupit kriminal. Dyshohet gjithashtu se ata kishin investuar edhe në mjete lundruese për transportin e drogës. Rezart Kuçi është arrestuar për tre vepra të rënda penale:
Shpërdorim detyre
Trafik i lëndëve narkotike
Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






