

Heronjtë nuk mbajnë gjithmonë shpata dhe nuk veshin pelerina. Shpesh ata janë njerëz të zakonshëm që sakrifikojnë çdo ditë për të tjerët. Një prej tyre është edhe mësuesja 39-vjeçare Albana Boja, e cila i mbijetoi një aksidenti të rëndë rrugor në Gramsh, teksa po kthehej nga puna.
Edhe pse ende nën ndikimin e traumës së ngjarjes, ajo thotë se nuk do të heqë dorë nga profesioni dhe misioni i saj për të dhënë dije.
“Kjo është një nga ditët më të tmerrshme dhe më të vështira të jetës sime, por kjo nuk do të thotë që do të ndal misionin dhe profesionin tim për të vazhduar të jap dije tek nxënësit. Do t’i përkushtohem edhe më shumë dhe do të jem më e fortë se kurrë”, u shpreh Boja.
Sakrifica për arsimin në zonat e thella
Pavarësisht vështirësive, mësuesja e re ka zgjedhur të punojë në fshatrat më të largëta të zonës së Gramsh, ku çdo ditë udhëton më shumë se tre orë për të arritur te nxënësit e saj.
Sipas saj, përveç pasionit për mësimdhënien, vendimin e ka marrë edhe për shkak të nevojës së madhe që kanë fëmijët e këtyre zonave për arsim.
“Kam parë që edhe atje ka shumë fëmijë që kanë nevojë për dije. Kur më shohin, duket sikur shohin një rreze dielli, sepse fshatrat janë shumë të largëta dhe të izoluara. Ata janë të lumtur që ne nuk dorëzohemi pavarësisht sakrificave”, tregon ajo.
Aksidenti që tronditi zonën
Nxënës, prindër dhe kolegë ende kujtojnë me ankth aksidentin e ndodhur më 26 janar, kur automjeti me të cilin udhëtonte mësuesja doli nga rruga dhe ra rreth 100 metra në humnerë. Në momentet e para u mendua se ajo ishte mes viktimave të aksidentit.
Megjithatë, mrekullisht ajo arriti të mbijetojë.
Këtë 7 mars, në Ditën e Mësuesit, nxënësit e saj nga fshati Poroçan udhëtuan drejt shtëpisë së saj për ta surprizuar me lule dhe përqafime mirënjohjeje, duke i treguar se për ta ajo mbetet një figurë frymëzuese dhe një simbol i përkushtimit ndaj arsimit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






