

Kryeministri i vendit, Edi Rama, gjatë një takimi pas inspektimit në aksin Librazhd-Prrenjas, komentoi edhe protestat kombëtare të Partisë Demokratike.
Duke i cilësuar si “jashtëderdhje njerëzore në bulevard”, kreu i qeverisë tha se qëllimi i opozitës me ato “pocaqi protestash” bëhen vetëm për të prodhuar disa foto me zjarr dhe dhunë për t’i publikuar nëpër botë dhe për të thënë se mos ejani në Shqipëri dhe të investoni sepse ka korrupsion.
“Ne kemi plot arsye për t’u kritikuar, unë vet mendoj se jam socialisti më i pakënaqur dhe pakënaqësia te socialistët është virtyt. Por, përtej gjërave që nuk shkojnë, tërësia e gjërave flet vetë. Ne nuk kemi për ta lejuar të na ndodhë përsëri ajo që u ka ndodh shqiptarëve shumë herë në histori, kur i janë afruar momentit për të marrë kthesën e madhe, janë ngatërruar me këmbët e tyre për shkak të shqiptarëve, jo për shkak të të tjerëve, as për shkak të armiqve. Më të egrit armiq të shqiptarëve, janë shqiptarët.
Gjithë ato çfarë bëhet në ato pocaqi protesta, që janë si jashtëderdhje njerëzore në bulevard, bëhet vetëm për fotografitë që prodhohen nga zjarret dhe nga dhuna për t’u çuar nëpër botë. Për të thënë kjo është Shqipëria, mësoi shkoni në Shqipëri, mos bëni tur, mos investoni, mos besoni te Shqipëria, se është e zhytur në korrupsion.
Si qenka Shqipëria e zhytur në korrupsion, kur po luftohet më shumë se çdo herë tjetër, po të shohësh faktet sot që flasin, edhe rastet që trajtohen dhe që janë trajtuar janë 85% raste që i përkasin mandatit të parë dhe të dytë, dhe në të gjitha ato rastet 10 janë me akuzën e korrupsionit, shumë më ndryshe e vërteta nga sa tregohet. Patjetër që kemi problem me korrupsionin, por a po e lufton tjetër kush në rajon, siç po e luftojmë ne, askush”, tha Rama.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






