

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një inspektim në punimet e Korridori VIII, ku komentoi edhe shembjen e ndodhur në aksin Librazhd–Prrenjas, pranë zonës së Arrat e Gurres, që bllokoi qarkullimin për rreth 11 ditë.
Sipas Ramës, rrëshqitja e tokës me gjatësi rreth 150 metra nuk kishte lidhje me punimet e projektit të ri të korridorit, i cili përfshin një kantier prej rreth 35 kilometrash. Ai theksoi se segmenti ku ndodhi shembja i përket aksit të vjetër rrugor, ndërsa aksi i ri ende nuk është ndërtuar në atë pjesë.
Kryeministri deklaroi se shkaku kryesor i rrëshqitjes ka qenë faktori gjeologjik i zonës dhe reshjet e vazhdueshme të shiut, duke mohuar pretendimet se shembja lidhej me punimet në kantier.
Sipas tij, interpretimet që lidhin incidentin me ndërhyrjet ndërtimore janë “manipulim dhe perversitet”, duke shtuar se situata është përdorur për debat politik dhe mediatik.
“Tollovia që u shemb rruga nga punimet është një manipulim i madh, sepse këtu jemi në aksin e vjetër. Ajo është një rrëshqitje e shkaktuar nga faktori gjeologjik i ngarkuar nga shirat,” u shpreh Rama gjatë inspektimit.
Shembja në këtë segment kishte paralizuar për disa ditë qarkullimin drejt juglindjes së vendit, duke shkaktuar shqetësime për banorët dhe drejtuesit e mjeteve që përdorin këtë aks. Sipas autoriteteve, ndërhyrjet e kryera synojnë stabilizimin e terrenit dhe rikthimin e plotë të sigurisë në rrugë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






