Transmetuar më 07-03-2026, 10:00

Prindërit janë ata që më mirë se kushdo tjetër e njohin fëmijën e tyre. Ata njohin prirjet kur është i vogël, njohin dëshirat dhe pasionet e fëmijës së tyre.

Meqenëse sot ishte dita e parë e shkollës, ne po ju sjellim letrën e Abraham Lincoln drejtuar mësuesit të djalit të tij, shkruar 184 vite më parë.

Presidenti i 16-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Abraham Lincoln, e dinte vlerën e dijes dhe të të mësuarit në jetë. Për këtë arsye, ai kishte vendosur që mësuesit të djalit të tij t’i shkruante, në formë përkujtimi, rreth mënyrës se si duhet trajtuar një fëmijë i vogël.

Në letrën e tij, ai rreshton një sërë arsyesh që dëshiron që fëmija i tij t’i mësojë në shkollë.

Më poshtë letra e plotë e Abraham Lincoln:

“Mësues i nderuar,

Djali im sot e fillon shkollën.

Pas pak, gjithçka do të jetë për të e çuditshme dhe e re, prandaj do të doja ta trajtonit butësisht.

Është një aventurë që ai do ta marrë me vete nëpër të gjitha kontinentet.

Të tilla aventura ndoshta mund të përfshijnë luftëra, tragjedi dhe fatkeqësi. Ta jetosh këtë jetë, të duhet besim, dashuri dhe kurajë.

Për këtë, i dashur Mësues, do t’ju lutesha ta merrnit përdore e t’i mësoni gjëra që do t’i duhen t’i dijë; mësojeni atë – por butësisht, nëse mundeni.

Mësojeni se për çdo armik ekziston një mik.

Atij do t’i duhet të mësojë se jo të gjithë njerëzit janë të drejtë, se jo të gjithë njerëzit janë të sinqertë.

Megjithatë, mësojeni se për çdo faqezi ka një hero dhe se për çdo politikan egoist jeton një lider i përkushtuar.

Mësojeni, nëse mundeni, se 10 centë të fituar kanë shumë më tepër vlerë se një dollar i gjetur. Në shkollë, mësues, është shumë më e ndershme të dështosh se të mashtrosh.

Mësojeni atë si të humbë hijshëm dhe si t’i gëzohet fitores kur ai fiton.

Mësojeni të jetë i mirë me njerëzit e mirë dhe i ashpër me njerëzit e ashpër. Mundohuni t’i qëndrojë sa më larg zilisë, nëse mundeni, dhe mësojani sekretin e një buzëqeshjeje të çiltër.

Mësojeni, po të jetë e mundur, si të qeshë kur të jetë i trishtuar dhe se të derdhësh lotë nuk është aspak turp.

Mësojeni se mund të ketë dështim të ndershëm dhe fitore të turpshme.

Mësojeni t’i përqeshë cinikët.

Mësojeni, nëse mundeni, të zbulojë mrekullinë e leximit të librave, por gjithashtu jepini edhe kohën e mjaftueshme për të kundruar misterin e përjetshëm të fluturimit të zogjve në qiell, të bletëve në diell e të luleve mbi një kodër të gjelbër.

Mësojeni të ketë besim në idetë e tij edhe nëse të gjithë do t’i thonë se janë të gabuara.

Mundohuni t’i mësoni birit tim forcën për të mos e ndjekur turmën edhe kur të gjithë vrapojnë pas fitimtarit.

Mësojeni të dëgjojë me vëmendje çdo njeri, por gjithashtu të shoshisë gjithçka që dëgjon në sitën e së vërtetës dhe të marrë veç të mirën.

Mësojani atij sesi të shesë talentin dhe zgjuarësinë e tij tek ofertuesi më i lartë, por mos të pranojë kurrë asnjë lloj çmimi për shpirtin e zemrën.

Lejojeni të ketë kurajën për të qenë i padurueshëm. Lejojeni të ketë durimin për të qenë trim.

Mësojeni atë të ketë besim sublim te vetvetja, sepse atëherë ai do të ketë gjithmonë besim sublim në njerëzimin dhe në Zotin.

Këto janë kërkesat, mësues, por ju bëni më të mirën që mundeni. Ai është fëmijë i vogël dhe i mirë. Dhe është biri im.

Me respekt,

Abraham Lincoln.” – shkruhet në letrën e Lincoln. /o.b/noa.al/

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit