Transmetuar më 07-03-2026, 09:07

Një ndërhyrje kirurgjikale historike është realizuar në Itali, duke shënuar një hap të rëndësishëm në mjekësinë moderne. Një pacient 50-vjeçar është shëruar plotësisht nga diabeti dhe është çliruar nga dializa falë një transplanti të dyfishtë të veshkës dhe pankreasit, i kryer tërësisht me ndihmën e një roboti kirurgjik në spitalin Niguarda.

Sipas raportimeve të Il Messaggero, kjo është hera e parë në Itali që të dy organet implantohen duke përdorur ekskluzivisht një sistem robotik kirurgjik. Metoda ofron prerje minimale prej disa milimetrash, shërim më të shpejtë dhe reduktim të ndjeshëm të komplikimeve pas operacionit.

Pas ndërhyrjes, pacienti nuk ka më nevojë për insulinë dhe është rikthyer në jetën normale pa dializë. Historia e tij filloi në vitin 2021 kur u fut në listën e pritjes për transplant pankreasi, ndërsa në vitin 2024 gjendja u përkeqësua duke e bërë të nevojshëm edhe transplantin e veshkës.

Kirurgët falë teknologjisë robotike kryen ndërhyrjen me precizion të lartë, duke minimizuar dëmtimet e indeve përreth dhe duke përmirësuar ndjeshëm rikuperimin.

Eksperti Di Gregorio vlerëson se ky sukses përfaqëson një hap të rëndësishëm për kirurgjinë robotike dhe për mjekësinë e transplanteve në Itali, duke hapur perspektiva të reja për trajtimin e sëmundjeve kronike si diabeti dhe insuficienca renale. Teknologjia robotike pritet të ketë një rol gjithnjë e më të madh në ndërhyrjet komplekse kirurgjikale, duke ofruar më shumë siguri dhe rezultate më të mira për pacientët.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit