

Kur shkolla "Edith Durham" pranë ish Bllokut në Tiranë, u shkatërrua vitin e kaluar, Erion Veliaj, kryetar i bashkisë, tha se në shtator, nxënësit do të futeshin në një shkollë të re.
Pas tij ishte kryeministri që tha se në dhjetor shkolla do të rihapej, por sërish nuk ndodhi. Jemi në muajin e tretë të 2026 dhe shkolla që në dukje shihet si e përfunduar, ende nuk hapet.
Sot ishte radha e ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro që të fliste për këtë shkollë. Por ajo u tregua e kujdesshme dhe nuk dha një datë, përveçse tha si të tjerë para saj, "shumë shpejt".
"Ndërtimi i shkollës “Edit Durham” ka përfunduar duke u kthyer në një ndërtesë moderne me standarde bashkëkohore infrastrukturore, me kapacitete të zgjeruara për nxënësit e personelin arsimor", tha Kumbaro në Parlament gjatë seancës plenare.
Por pse shkolla nuk rihapet? Kumbaro duket se ia faturoi bashkisë kur tha: "Nuk mjafton të përfundojnë muret, sepse duhet kryer edhe mobilimi, që ka procedurën e vet të prokurimit sipas fazave të buxhetit. Ka nisur procesi imobilimit të ambienteve me orendi dhe mjete didaktike, në mënyrë që shkolla të vihet në funksion të plotë ku Bashkia e Tiranës si autoritet përgjegjës për këtë aspekt është në procedurë për përfundimin e këtij procesi dhe për kompletimin e të gjitha ambienteve, për zhvillimin normal të procesit mësimor".
Shkolla e re “Edith Durham” ka 33 klasa mësimore, nga të cilat 13 janë të dedikuara për arsimin fillor dhe 20 për ciklin 9-vjeçar. Godina e re është e pajisur me 10 laboratorë të specializuar për lëndë të ndryshme si informatikë, fizikë, kimi, biologji dhe gjuhë të huaj. Krahas tyre, shkolla ka edhe sallë multimediale, bibliotekë si dhe një palestër me sipërfaqe prej 405 m², duke krijuar hapësira funksionale për zhvillimin e aktiviteteve mësimore dhe edukative.
Për të dytin vit arsimor, nxënësit e kësaj shkolle janë dyndur në ambientet e shkollës “Emin Duraku”, duke e bërë mësimin pasdite.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






