Transmetuar më 06-03-2026, 18:54

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për Altin Hajrin, pronarin e kompleksit “Golden” në Shijak, i cili po gjykohet në mungesë për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.

Gjatë seancës së fundit në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), mbrojtja e Hajrit paraqiti kundërshtimet përfundimtare ndaj kërkesës së prokurorisë. Vendimi i gjykatës për çështjen pritet të shpallet në vijim.

Avokati i tij, Aranit Roshi, deklaroi se klienti i tij nuk ka pasur asnjë lidhje me ngjarjen. Sipas tij, disa persona të maskuar kanë mbërritur në ambientet e kompleksit dhe i kanë thënë Hajrit se personi që ndodhej me ta ishte sëmurë.

Sipas mbrojtjes, Hajri u ka dhënë ujë personave dhe vetëm më vonë, pasi ka vënë re armë dhe shenja gjaku, ka kuptuar se mund të bëhej fjalë për një ngjarje të rëndë kriminale. Në këto rrethana, ai pretendon se ka larguar familjarët nga ambientet e biznesit.

“Altin Hajri ka qenë në ambientet e lokalit kur kanë mbërritur disa persona me kapuç. Ai është interesuar për situatën dhe i kanë thënë se personi ishte sëmurë. I ka dhënë ujë, por kur ka parë armë dhe shenja gjaku, ka kuptuar se bëhej fjalë për diçka serioze dhe ka larguar familjarët nga biznesi. Ai nuk e ka njohur fare Jan Prengën”, deklaroi avokati Roshi.

Ai shtoi se një ngjarje kriminale mund të ndodhë në çdo ambient publik pa dijeninë e pronarit, duke sjellë si shembull një situatë hipotetike në një hotel në qendër të Tiranës, ku mund të përdoret parkimi për aktivitete të paligjshme pa dijeninë e menaxhmentit.

Nga ana tjetër, SPAK pretendon se nga tërësia e provave të mbledhura gjatë hetimeve rezulton se Altin Hajri ka pasur dijeni për rrëmbimin e Jan Prengës dhe ka bashkëpunuar me autorët e krimit.

Ngjarja e rëndë ndodhi në janar të vitit 2020, kur Jan Prenga u rrëmbye në zonën e Kamzës. Sipas hetimeve, ai u dërgua në një resort në Shijak, ku edhe është parë për herë të fundit. Dyshohet se Prenga është mbajtur peng dhe është torturuar, ndërsa trupi i tij ende nuk është gjetur.

Prokuroria ka ngritur dyshime se rrëmbimi i tij u porosit si akt hakmarrjeje për një sasi droge të humbur në Angli, ku dyshohet se ishte i përfshirë vëllai i viktimës, Ndrek Prenga.

Në këtë ngjarje dyshohet të jetë i përfshirë edhe Dritan Rexhepi, një emër i njohur i botës së krimit, i cili sipas hetimeve dyshohet se e ka porositur rrëmbimin nga Ekuadori, ku ndodhej në atë kohë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit