

Tiranë, 6 mars 2026
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën e Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për kalimin për gjykim të dosjes që lidhet me hakerimin e kompjuterëve të prokurorisë së posaçme.
Të pandehur në këtë çështje janë ish-drejtori i burgjeve Agim Ismaili si dhe dy bashkëpunëtorët e tij, Arnold Rrokaj dhe Zambak Gjoni, të cilët akuzohen se kanë vepruar në kuadër të një grupi kriminal.
Sipas hetimeve të prokurorisë, Arnold Rrokaj dyshohet se ka arritur të marrë në mënyrë të paautorizuar materiale hetimore nga sistemet kompjuterike të SPAK. Një pjesë e këtyre materialeve më pas janë dërguar në mënyrë të paligjshme tek Zambak Gjoni dhe Agim Ismaili, të cilët i kanë shpërndarë më tej tek persona të tretë.
Sipas dosjes hetimore, Rrokaj dhe Gjoni u identifikuan brenda një kohe të shkurtër dhe u arrestuan, duke parandaluar shpërndarjen e mëtejshme të materialeve hetimore.
Si rezultat i hetimeve, akuzat u zgjeruan edhe ndaj Agim Ismailit për veprën penale të përgjimit të paligjshëm të të dhënave kompjuterike. Sipas prokurorisë, pasi u njoh me përmbajtjen e materialeve, ai i ka shpërndarë ato dhe ka kërkuar vijimin e ndërhyrjeve të paligjshme në sistemet e prokurorisë për të siguruar informacione për persona të ndryshëm.
Tre të pandehurit akuzohen për veprat penale “përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “kryerje e veprimeve në kuadër të grupit kriminal” dhe “grup kriminal”.
Sipas SPAK, hakerët kanë tentuar të sigurojnë informacione nga kompjuterët e prokurorëve të posaçëm Behar Dibra, Enkeleida Millonai dhe Elida Kaçkini. Gjithashtu, sipas hetimeve, ka pasur tentativa për ndërhyrje edhe në kompjuterin e kreut të SPAK, Altin Dumani, por pa rezultat.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






