Transmetuar më 06-03-2026, 16:13

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për kompensimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për punëdhënësit që preken nga rritja e pagës minimale. Skema mbulon periudhën janar–shtator 2026 dhe synon të lehtësojë barrën financiare për bizneset e vogla dhe të mesme.

Kompensimi do të llogaritet mbi bazën e punonjësve me pagë bruto 40,000–49,999 lekë, të deklaruar në shtator 2025, dhe do të jepet çdo muaj nga Drejtoritë Rajonale të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA) në zonën ku subjekti zhvillon aktivitetin kryesor. Masa financiare do të jetë 16.7% e kontributeve të punëdhënësit për diferencën e pagës me rritjen e pagës minimale.

Për të përfituar, subjektet duhet të mos jenë në pronësi shtetërore, të mos kenë detyrime të prapambetura ndaj organeve tatimore dhe të plotësojnë aplikimin elektronik përmes portalit “e-Albania”, nga 1 prill deri më 31 tetor 2026.

Efekti financiar i skemës do të përballohet nga buxheti i shtetit, në programin “Tregu i punës” të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, ndërsa zbatimi do të monitorohet nga Ministria e Ekonomisë, AKPA dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit