

Policia e Tiranë ka ndaluar dy persona në lidhje me plagosjen e një 18-vjeçareje në një hotel në zonën e Sauk. Bëhet fjalë për Saimir Gjuta dhe Elvir Gjuta, të cilët akuzohen për veprën penale “moskallëzim i krimit”.
Sipas njoftimit të Policia e Shtetit, dy të dyshuarit janë babai dhe kushëriri i Erisjaldo Gjuta, i dashuri i 18-vjeçares që u plagos me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 14 shkurtit në Hotel Gjuta.
Sipas hetimeve paraprake, arma e zjarrit me të cilën u vetëplagos 18-vjeçarja dyshohet se ishte në posedim të të dashurit të saj. Policia bën me dije se, pas konsultimit me prokurorin e çështjes, është vendosur që Saimir dhe Elvir Gjuta të hetohen në gjendje të lirë.
Si ndodhi ngjarja
Ngjarja u regjistrua më 14 shkurt, kur 18-vjeçarja Natalia Murati mbërriti e plagosur në spital. Pas verifikimeve dhe këqyrjes së kamerave të sigurisë, policia zbuloi se incidenti kishte ndodhur në ambientet e hotelit në pronësi të familjes Gjuta.
Në kuadër të hetimeve janë arrestuar edhe dy persona të tjerë të familjes, Vladimir Gjuta dhe Mirvete Gjuta, të cilët akuzohen për veprat penale “moskallëzim i krimit” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e plagosjes së të resë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






