

Një konflikt i lidhur me çështjen e pronave në Rrjoll ka përfunduar në përplasje fizike mes palëve, menjëherë pas përfundimit të emisionit Opinion në TV Klan.
Ish-drejtori i Kadastrës, Fatmir Shpellzaj, ka reaguar publikisht duke pretenduar se djali i tij është dhunuar rëndë nga disa banorë të zonës së Rrjollit. Sipas tij, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes jashtë ambienteve të televizionit, ku ai kishte qenë i ftuar për të diskutuar mbi konfliktin e pronësisë në këtë zonë.
Shpellzaj thotë se djali i tij kishte ardhur së bashku me një mik për ta shoqëruar dhe se të dy janë sulmuar fizikisht nga një grup personash. Ai pretendon se të rinjtë kanë pësuar fraktura dhe kanë marrë trajtim mjekësor fillimisht në Spitali Universitar “Nënë Tereza” dhe më pas në Spitali i Traumës.
Në reagimin e tij, Shpellzaj akuzon banorët e përfshirë në konflikt se kanë përdorur dhunë dhe u bën thirrje Policia e Shtetit dhe organeve të drejtësisë të ndërhyjnë për zbardhjen e ngjarjes.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i banorëve të Rrjollit, Prekë Molla, e ka kundërshtuar këtë version. Sipas tij, konflikti është provokuar fillimisht nga djali i Shpellzajt, i cili, sipas pretendimeve të tij, ishte i shoqëruar nga një grup prej rreth 10–15 personash.
Molla pretendon se personat në fjalë kanë qenë të armatosur dhe të pajisur me shkopinj bejsbolli, duke provokuar reagimin e banorëve të pranishëm. Ai shton se edhe disa prej tyre kanë mbetur të lënduar nga përplasja.
Përfaqësuesi i banorëve ka publikuar gjithashtu një fotografi të automjetit të tij me xhamin e përparmë të thyer, duke pretenduar se dëmtimi është shkaktuar nga djali i Shpellzajt dhe personat që e shoqëronin.
Ngjarja po hetohet nga Policia e Shtetit, ndërsa disa nga personat e përfshirë janë shoqëruar në komisariat dhe aktualisht po hetohen në gjendje të lirë.
Konflikti në Rrjoll vijon prej më shumë se një muaji dhe lidhet me pretendimet e banorëve se u është falsifikuar dokumentacioni i pronësisë për t’i kaluar tokat në favor të biznesmenit Bashkim Ulaj, me qëllim ndërtimin e një resorti turistik në zonë. Situata ka shkaktuar tensione të vazhdueshme mes banorëve, kompanisë ndërtuese dhe forcave të policisë.
Kujtojmë se disa ditë më parë në emisionin Opinion pati edhe një incident tjetër, ku gazetari Berat Buzhala dhe shkrimtari Albatros Rexhaj u përfshinë në një përplasje gjatë debatit televiziv.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






