

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, priti në Shtëpia e Bardhë yllin e futbollit botëror Lionel Messi dhe skuadrën e Inter Miami CF, për të festuar triumfin e ekipit në MLS Cup 2025.
Ceremonia u zhvillua të enjten në Dhomën Lindore të Shtëpisë së Bardhë, ndërsa presidenti amerikan mbajti fillimisht një fjalim të gjatë që preku edhe zhvillimet e fundit politike dhe tensionet me Iran.
Pasi skuadra e Inter Miami u ngjit në skenë, Trump hyri në sallë i shoqëruar nga Messi dhe pronari i klubit, Jorge Mas. Ngjarja erdhi në një ditë të ngarkuar politike për presidentin amerikan, i cili më herët kishte shkarkuar nga detyra sekretaren e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem.
Gjatë fjalës së tij, Trump nuk kurseu elozhet për kampionin argjentinas, duke e cilësuar praninë e tij në Shtëpinë e Bardhë një privilegj të veçantë.
“Jam i privilegjuar të pres Lionel Messin. Asnjë president amerikan nuk e ka pasur më parë këtë mundësi. Djali im, Barron Trump, më tha: ‘Babi, e di kush do të vijë sot?’ I thashë se kisha shumë punë për të bërë dhe nuk e dija. Ai më tha: ‘Messi!’”, u shpreh Trump.
Presidenti amerikan shtoi se djali i tij është një tifoz i madh i futbollit dhe admirues i Messit, por gjithashtu ndjek me pasion edhe yllin portugez Cristiano Ronaldo.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






