Transmetuar më 06-03-2026, 11:05

Zbardhet dëshmia e Luan Maçit, 42-vjeçarit që grabiti pikën e këmbimit valutor brenda qendrës tregtare Concord, në zonën e “5 Majit”.

Fillimisht, Maçi mohoi akuzat para policisë, duke deklaruar se nuk ishte ai autori i grabitjes së rreth 300 mijë lekëve të reja.

Megjithatë, efektivët e Komisariatit nr. 4 gjetën rrobat që përdori gjatë grabitjes dhe briskun e rrojes të fshehur brenda lavatriçes, prova kyçe që dokumentuan ngjarjen. Pas kësaj, ai pranoi se ishte autori dhe dha shpjegime për motivet e tij, duke zbuluar edhe planin e grabitjes.

“Kisha planifikuar që grabitjen ta bëja më përpara, por pas grabitjes me armë të një banke në zonën e ish-Parkut u frikësova dhe mendova ta shtyja për më vonë. Isha i detyruar sepse kam shumë borxhe dhe nënën sëmurë rëndë”, deklaroi Maçi.

Sipas burimeve policore, menjëherë pas grabitjes, Maçi u largua fillimisht në këmbë, duke hyrë brenda tregut të Medresesë dhe dalë në anën e pasme përmes rrugicave. Në një pusetë ka fshehur pistoletën, më pas ka marrë një taksi dhe ka shkuar në shtëpi. Për t’u fshehur, ka hequr mjekrën dhe ka pretenduar se nuk ishte ai autori.

Nga kontrolli i policisë iu gjetën vetëm 15 mijë lekë të reja, ndërsa pjesa tjetër e parave dyshohet se është përdorur për shlyerjen e borxheve. Dëshmia e tij ka rezultuar kontradiktore në disa momente.

Tani, rasti po hetohet nga autoritetet përkatëse, ndërsa Maçi ndodhet nën masa sigurie dhe pritet të përballet me drejtësinë për grabitjen.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit