Transmetuar më 06-03-2026, 10:58

Ngjarja në Azilin e Gjirokastrës merr kthesë të re, nisin procedimet për tre persona. Procedohen drejtoresha dhe kryekujdestarja e Azilit në Gjirokastër pas vdekjes së Sheqeres, nën hetim edhe një infermier

Një ngjarje e rëndë e ndodhur në Shtëpinë e të Moshuarëve në Gjirokastër ka çuar në nisjen e procedimeve penale ndaj disa personave përgjegjës në institucion dhe në sistemin shëndetësor.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër kanë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Shpërdorimi i detyrës” ndaj dy zyrtareve të këtij institucioni.

Bëhet fjalë për shtetaset D. D., 50 vjeçe, drejtoreshë e Shtëpisë së të Moshuarëve në Gjirokastër dhe Dh. Zh., 52 vjeçe, kryekujdestare në këtë institucion.

Hetimet lidhen me ngjarjen e ndodhur më 4 mars 2026, ku fillimisht dyshohej se 72-vjeçarja Sheqere Zeko kishte rënë aksidentalisht nga tarraca e institucionit. Sipas rezultateve të hetimeve, ka rezultuar se e moshuara ishte vetëhedhur nga tarraca.

72-vjeçarja humbi jetën gjatë transportimit drejt Spitalit të Traumës.

Në vijim të veprimeve hetimore është referuar në Prokurori edhe një tjetër rast procedimi penal ndaj shtetasit M. H., 37 vjeç, infermier në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës.

Sipas policisë, ai dyshohet se nuk ka njoftuar organet ligjzbatuese për faktin se 72-vjeçarja kishte humbur jetën, edhe pse kishte dijeni se për rastin kishin nisur hetimet.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, e cila do të vijojë me veprimet e mëtejshme hetimore.

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetaset: D. D., 50 vjeçe, banuese në Gjirokastër, me detyrë Drejtoreshë e Shtëpisë së të Moshuarëve Gjirokastër dhe Dh. Zh., 52 vjeçe, banuese në Gjirokastër, me detyrë kryekujdestare në këtë institucion.

Veprimet procedurale u kryen pasi nga hetimet e kryera për rastin e ndodhur më 04.03.2026, në Shtëpinë e të Moshuarëve, ku dyshohej se ra aksidentalisht nga tarraca, shtetasja Sh. Z., 72 vjeçe, e cila humbi jetën më datë 04.03.2026, gjatë transportimit në Spitalin e Truamës, rezultoi se kjo shtetase ishte vetëhedhur nga tarraca.

Në vijim të veprimeve për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin M. H., 37 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë infermier në Spitalin Rajonal Gjirokastër, pasi nuk ka njoftuar organet ligjzbatuese që 72-vjeçarja kishte humbur jetën edhe pse kishte dijeni se për rastin kishin nisur hetimet.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit