Transmetuar më 06-03-2026, 09:12

Vjosa Osmani shpërndan Kuvendin e Kosovës, vendi shkon në zgjedhje të reja

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, duke e çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja parlamentare.

Në një konferencë për media, Osmani tha se u paraqit para qytetarëve pasi përfaqësuesit e popullit, sipas saj, vendosën që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

“Jam këtu para jush sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën që ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja. Kjo situatë ka qenë e evitueshme. Është fatkeqësi e madhe që ata nuk zgjodhën interesin e Kosovës”, deklaroi Osmani.

Ajo shtoi se, në përputhje me kompetencat kushtetuese, ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.

“Prandaj sot, në përputhje me kompetencat e mia kushtetuese, kam nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit”, tha presidentja.

Duke folur për dështimin e përpjekjeve për zgjedhjen e presidentit mbrëmjen e 5 marsit, Osmani theksoi se kjo nuk ishte një situatë e rastësishme, por sipas saj një kalkulim politik i menduar.

“Në një republikë kushtetuese ka diçka që është mbi kalkulimet partiake dhe mbi interesat e momentit: Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Kushtetuta nuk është tekst ceremonial. Ajo është kontrata jonë e përbashkët si shtet. Është kufiri që politika nuk mund ta kalojë dhe busulla që institucionet nuk mund ta humbasin. Mbrëmë përpjekjet për zgjedhjen e një presidenti të ri dështuan. Ky dështim nuk ishte as i rastësishëm, as i pamenduar, por përkundrazi shumë mirë i kalkuluar dhe i ideuar, për fat të keq”, u shpreh ajo.

Sipas Osmanit, Kushtetuta e përcakton qartë se afati për zgjedhjen e presidentit përfundoi në mesnatën e së enjtes.

“Procedura për zgjedhjen e presidentit, edhe pse mund të fillojë deri në 60 ditë para afatit të fundit, nuk mund të shtyhet më tej dhe duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual. Afati përfundimtar është i qartë: ka qenë mbrëmë në mesnatë dhe presidenti nuk mund të zgjidhet pas këtij momenti”, tha ajo.

Osmani theksoi se deputetët kanë pasur në dispozicion 23 ditë për të përmbushur këtë detyrë kushtetuese.

“Deputetët kanë pasur në dispozicion 23 ditë për ta kryer këtë detyrë kushtetuese. Ata vendosën të mos e bëjnë këtë. Fakti që Kuvendi ka zgjedhur të mos i shfrytëzojë këto ditë, nuk e ndryshon Kushtetutën tonë dhe nuk e zhbën detyrën time që ta shpërndaj këtë Kuvend, i cili dështoi”, deklaroi presidentja.

Kujtojmë se mbrëmë në orët e vona u mbyll seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës e thirrur për zgjedhjen e presidentit të vendit, pasi nuk pati kuorum të mjaftueshëm për zhvillimin e procesit të votimit.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, sqaroi se në raundin e parë dhe të dytë të votimit duhet të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë që votimi të konsiderohet i vlefshëm. Për shkak të mungesës së këtij numri deputetësh në sallë, seanca u ndërpre pa u zhvilluar votimi për zgjedhjen e presidentit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit