

Një lajm jo i mirë vjen për trajnerin e Kombëtares shqiptare, Sylvinho, në prag të sfidave të fazës “play-off”. Mesfushori kuqezi, Medon Berisha, pritet të mungojë në këto përballje për shkak të problemeve fizike që po e mbajnë ende larg fushave të lojës.
Sipas mediave italiane, lojtari i Lecce-s është ende shumë larg rikthimit të plotë në stërvitje me ekipin. Në raportin e fundit mjekësor të publikuar nga klubi italian bëhet e ditur se Berisha vijon të stërvitet i diferencuar, duke ndjekur një program individual rikuperimi dhe pa u bashkuar ende me pjesën tjetër të skuadrës.
Ende nuk ka një datë të saktë për rikthimin e tij në fushë. Megjithatë, mediat italiane raportojnë se mesfushori mund të jetë në dispozicion të trajnerit Eusebio Di Francesco për ndeshjen kundër Romës më 22 mars. Stafi mjekësor i klubit synon t’i japë atij vetëm disa minuta aktivizim në këtë sfidë, duke shmangur çdo rrezik të ri.
Sipas të njëjtave burime, Berisha pritet të jetë plotësisht i gatshëm vetëm për përballjen kundër Atalantës më 4 prill.
Në këto kushte, duket thuajse e pamundur që Sylvinho ta ketë mesfushorin në dispozicion për ndeshjet e “play-off”-it. Edhe pse Berisha nuk ka qenë gjithmonë titullar në formacionin e teknikut brazilian, mungesa e tij konsiderohet një goditje për Kombëtaren, pasi lojtari u dëmtua pikërisht në një nga momentet më të mira të formës së tij.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






