

Kuvendi i Kosovës dështon të zgjedhë presidentin e ri, vendi rrezikon të shkojë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare
Kuvendi i Kosovës ka dështuar të zgjedhë presidentin e ri për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm në seancën plenare, duke e futur vendin në një situatë që mund të çojë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare.
Në sallë ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë, ndërsa përpara tyre u prezantuan dy kandidatë për postin e presidentit, të dy nga Lëvizja Vetëvendosje: Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u bëri thirrje disa herë deputetëve që mungonin të ktheheshin në seancë për të siguruar kuorumin e nevojshëm, por ata nuk iu përgjigjën thirrjes.
Pas prezantimit të kandidatëve, Haxhiu sqaroi se sipas Kushtetutës kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallë për të vazhduar me procedurën e votimit për presidentin e Kosovës.
“Me këtë rast nuk ka kuorum për të vazhduar më tutje me votimin. Disa herë në këtë seancë u bëra thirrje deputetëve që mungojnë të jenë të pranishëm në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, por ata nuk janë këtu. Rrjedhimisht nuk i kemi dy të tretat e deputetëve”, deklaroi ajo.
Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundoi mbrëmë në orën 23:59.
Sipas procedurës, për zhvillimin e seancës kërkohet prania e 80 deputetëve. Në dy raundet e para të votimit kandidati duhet të marrë 80 vota, ndërsa në raundin e tretë mjafton shumica e thjeshtë prej 61 votash për t’u zgjedhur president.
Në seancë morën pjesë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Grupit Multietnik, ndërsa deputetët e opozitës munguan.
Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu ka njoftuar se i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës së zgjedhjes së presidentit.
Në një reagim në rrjetet sociale, ajo bëri të ditur se është kërkuar gjithashtu një masë e përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me këtë procedurë, deri në publikimin e vendimit të Gjykatës.
“Sapo i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës. Po ashtu kemi kërkuar vendosjen e një mase të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me këtë procedurë deri në publikimin e aktgjykimit”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo shtoi se për këtë hap është njoftuar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






