Transmetuar më 06-03-2026, 07:29

Procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme në thuajse të gjitha bashkitë e vendit po kryhet mbi bazën e çmimeve të referencës të miratuara në vitin 2016, nëse aplikimi bëhet përmes Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK). Ndërkohë, në rastet kur rivlerësimi kryhet nga një ekspert privat i licencuar, vlera e pronës përcaktohet sipas çmimeve aktuale të tregut.

Sqarimi është dhënë nga Ministria e Financave, e cila tha se qytetarët që synojnë të shesin një pronë dhe të përfitojnë nga tatimi i reduktuar prej 5% mund të zgjedhin mes rivlerësimit përmes Kadastrës ose përmes një eksperti të licencuar. Në rastin e parë, vlera e pronës llogaritet sipas çmimeve fiskale të vitit 2016, ndërsa në rastin e dytë përdoren vlerat reale të tregut.

Ekspertët e tregut të pasurive të paluajtshme e konsiderojnë këtë praktikë pak të leverdishme për pronarët në disa zona të vendit, kryesisht turistike, sidomos ato të turizmit balnear dhe malor, pasi çmimet e referencës të vitit 2016 janë dukshëm më të ulëta se vlerat aktuale të tregut.

Ndryshe paraqitet situata në Tiranë, ku çmimet e referencës janë rishikuar në korrik të vitit 2023 dhe kanë hyrë në fuqi në fillim të gushtit të po atij viti. Në kryeqytet, çmimet janë të ndara në 32 zona kadastrale dhe konsiderohen më të përafruara me tregun aktual.

Për 60 bashkitë e tjera të vendit, çmimet e referencës të miratuara në vitin 2016 përbëhen vetëm nga një vlerë për çdo qytet, pa ndarje në zona dhe pa reflektuar ndryshimet e tregut të pasurive të paluajtshme.

Nga ana tjetër, Ministria e Financave ka propozuar një hartë të re çmimesh për rrethet, me rritje që në disa zona arrijnë deri në 200%, veçanërisht pranë portit të Durrës. Megjithatë, ky propozim nuk është miratuar ende nga Këshilli i Ministrave i Shqipërisë.

Sipas projektvendimit të publikuar për konsultim publik në korrik 2025, ndarja e zonave kadastrale në rrethe do të zgjerohej nga 62 në 176 zona, duke përfshirë për herë të parë edhe fshatrat si zona të veçanta për çmimet e referencës.

Për shembull, në Durrës është propozuar ndarja në 13 zona kadastrale, ku çmimet e referencës do të variojnë nga 45 mijë deri në 200 mijë lekë për metër katror. Vlera më e lartë është parashikuar për zonën e portit, ku po zhvillohet projekti Durrës Yachts Marina.

Në zonat bregdetare janë propozuar gjithashtu çmime të reja referuese: në Gjiri i Lalzit dhe Hamallaj deri në 190 mijë lekë për metër katror; në Dhërmi dhe Palasë rreth 140 mijë lekë për metër katror; ndërsa në Ksamil pritet të arrijnë rreth 100 mijë lekë për metër katror.

Ndërkohë, çmimet e referencës përdoren jo vetëm për shitblerjen e pronave, por edhe për llogaritjen e taksës së ndërtesës dhe taksës së ndikimit në infrastrukturë nga bashkitë, çka mund të sjellë kosto shtesë si për qytetarët, ashtu edhe për ndërtuesit e projekteve të reja.

Për rivlerësimin përmes një eksperti të licencuar, qytetarët duhet të ngarkojnë në platformën e-Albania raportin e vlerësimit të pronës. Ekspertët e përcaktojnë vlerën duke përdorur metodën krahasuese të çmimeve, bazuar në të dhënat e tregut, ofertat e publikuara online dhe informacionet e mbledhura në terren.

Tarifat për këtë shërbim në rrethe variojnë nga 15 mijë deri në 20 mijë lekë për apartamentet dhe nga 20 mijë deri në 30 mijë lekë për njësitë tregtare. Ndërsa nëse rivlerësimi kryhet përmes Agjencia Shtetërore e Kadastrës, tarifa e shërbimit është 3,500 lekë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit