Transmetuar më 05-03-2026, 21:14

Megjithëse gjatë një dekade numri i shtetasve shqiptarë të burgosur në Greqi është zvogëluar thuajse dy herë, shqiptarët mbeten grupi më i madh i të huajve në institucionet penitenciare greke.

Të dhënat u prezantuan në Parlamenti i Greqisë pas kërkesës së një deputeti të partisë ultra të djathtë “Niki (Fitorja)”. Në kuadër të kontrollit parlamentar, Giannis Lampropoulos, zëvendësministër për Mbrojtjen e Qytetarit, dorëzoi statistikat mbi të burgosurit e huaj sipas shtetësisë dhe llojit të veprës penale.

Sipas të dhënave më 29 janar 2026, në burgjet greke ndodheshin 6.939 të burgosur të huaj nga një total prej 13.530. Shqiptarët janë grupi më i madh, me 1.567 persona, të ndjekur nga shtetasit pakistanezë (499), egjiptianë (497), sudanezë (328) dhe afganë (303).

Sa i përket llojit të veprave penale, numri më i madh i të burgosurve të huaj (2.462 persona) mbahej për transportim të emigrantëve të paligjshëm. Ndërsa për trafikim lëndësh narkotike ndodheshin 1.365 persona, për vjedhje 602, për grabitje 485, për pjesëmarrje në organizatë kriminale 308, për vrasje me dashje 244, për përdhunim 132, për tentativë vrasjeje 129, për pjesëmarrje në bandë kriminale 94 dhe për qëndrim të paligjshëm në vend 92.

Zëvendësministri Lampropoulos theksoi se Sekretaria e Përgjithshme për Politikën Kundër Krimit bashkëpunon vazhdimisht me Autoritetin Statistikor të Greqisë (ELSTAT), si dhe me organizata evropiane dhe ndërkombëtare, përfshirë EUROSTAT dhe Këshillin e Evropës, për ofrimin e të dhënave statistikore të besueshme dhe të harmonizuara

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit