Transmetuar më 05-03-2026, 20:01

TIRANË – Në ditën e gjashtë të tensioneve dhe përplasjes ushtarake mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraeli dhe Irani, rritet shqetësimi për shtetasit e huaj që ndodhen në territorin iranian, përfshirë edhe qytetarët shqiptarë.

Burime diplomatike bëjnë me dije se deri më tani janë identifikuar gjashtë shtetas shqiptarë rezidentë në Iran. Dy prej tyre janë gra shqiptare të martuara me shtetas iranianë.

Sipas të njëjtave burime, asnjë prej tyre nuk ka kontaktuar deri më tani autoritetet shqiptare për të kërkuar ndihmë për largimin nga vendi. Pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Iranit në shtator të vitit 2022, shërbimet konsullore për qytetarët shqiptarë në Iran mbulohen nga Ambasada e Shqipërisë në Ankara.

Ndërkohë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka këshilluar të gjithë shtetasit shqiptarë që ndodhen në Iran ose planifikojnë të udhëtojnë drejt Shqipërisë përmes Turqisë, nëpërmjet pikave kufitare tokësore Iran–Turqi, të vendosen në komunikim të menjëhershëm me Ambasadën shqiptare në Ankara.

Burime mediatike bëjnë me dije gjithashtu se disa ditë pas sulmit të SHBA ndaj Iranit në qershor të vitit 2025, autoritetet shqiptare realizuan një operacion riatdhesimi për një familje shqiptare që jetonte në Iran prej vitit 1995. Familja, e kryefamiljarit të punësuar në seksionin e gjuhës shqipe në radion shtetërore iraniane, udhëtoi fillimisht drejt Turqisë dhe më pas mbërriti në Shqipëri.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit