

Përplasje e re në PD, Salianji: Nuk iki, do ta ndryshoj nga brenda. Po i rezistoj presioneve, partia nuk është pronë private
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka deklaruar se nuk do të largohet nga Partia Demokratike dhe se përpjekja e tij është të ndryshojë mënyrën sesi drejtohet partia nga brenda.
I ftuar në emisionin “Trialog”, Salianji u shpreh se po përballet me presione nga selia qendrore e PD-së, të cilat sipas tij kanë për qëllim të pengojnë mbështetësit e tij që të marrin pjesë në takimet që ai zhvillon në qytete të ndryshme të vendit.
“Po i qëndroj presionit të pacipë duke bërë akuza në çdo takim që unë jam. Ka mijëra mesazhe që çohen dhe miliona lekë që harxhohen nga selia qendrore e Partisë Demokratike, para që duhet të përdoreshin kundër qeverisë. Në çdo takim që kam zhvilluar në qytete të ndryshme është paraprirë nga mesazhe që dërgon lidershipi i partisë nga një numër qendror”, u shpreh Salianji.
Ai shtoi se Partia Demokratike nuk mund të trajtohet si pronë private e askujt dhe se do të vazhdojë përpjekjet për të sjellë ndryshime brenda saj.
“Partia Demokratike nuk është pronë private. Është një parti që duhet të jetë në interes publik. Unë nuk do ta lejoj që të trajtohet si pronë private. Mendoj se e vetmja mënyrë për ta ndryshuar është nga brenda”, deklaroi Salianji.
Sipas tij, deri më tani asnjë nga drejtuesit e lartë të PD-së nuk është marrë me shqetësimet dhe propozimet që ai ka ngritur.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






