Transmetuar më 05-03-2026, 19:50

Qeveria sjell rregulla të reja për mbetjet, ndarja në burim bëhet e detyrueshme për qytetarët dhe bizneset

Qeveria shqiptare po përgatitet të zbatojë një reformë të re në menaxhimin e mbetjeve urbane, duke e bërë të detyrueshme ndarjen e tyre që në burim për qytetarët, bizneset dhe institucionet. Nisma vjen përmes një projektvendimi të hartuar nga Ministria e Mjedisit, në zbatim të ligjit të ri të vitit 2025 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.

Sipas dokumentit, synimi është që Shqipëria të përafrojë standardet e saj me ato të Bashkimit Evropian dhe të reduktojë ndjeshëm sasinë e mbetjeve që përfundojnë në landfille, duke rritur nivelin e riciklimit dhe ripërdorimit të materialeve.

Me rregullat e reja, qytetarët dhe bizneset nuk do të mund të hedhin më të gjitha mbetjet në një kosh të vetëm. Letra, kartoni, qelqi, metali, plastika dhe mbetjet organike do të duhet të ndahen sipas kategorive përkatëse. Për këtë qëllim, bashkitë do të vendosin kontejnerë të veçantë, të standardizuar sipas ngjyrave dhe etiketave që përdoren në vendet e Bashkimit Evropian.

Qeveria ka vendosur edhe objektiva afatgjata për riciklimin e mbetjeve. Sipas planit, synohet që Shqipëria të riciklojë 25 për qind të mbetjeve deri në vitin 2030, 50 për qind deri në vitin 2033, 55 për qind deri në vitin 2035, 60 për qind deri në vitin 2040 dhe 65 për qind deri në vitin 2045.

Ndërkohë, mbetjet elektronike dhe bateritë do t’i nënshtrohen një sistemi të veçantë juridik, bazuar në parimin e “përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit”.

Projektvendimi parashikon gjithashtu një sistem të rreptë raportimi për menaxhimin e mbetjeve. Operatorët privatë do të duhet të raportojnë çdo vit pranë bashkive për sasitë dhe llojet e mbetjeve të grumbulluara, ndërsa bashkitë do t’i dërgojnë këto të dhëna në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, e cila do të publikojë raportin kombëtar vjetor.

Gjatë fazës së konsultimit paraprak, disa bashki si Tirana, Kruja, Librazhdi dhe Dropulli kanë paraqitur sugjerimet e tyre për projektin. Sipas Ministrisë së Mjedisit, zbatimi i këtij vendimi pritet të ndihmojë në mbrojtjen e mjedisit dhe të krijojë edhe mundësi të reja punësimi në sektorin e riciklimit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit