

Dyqanet dhe furrat e bukës në mbarë Korçën kanë nxjerrë njoftime publike se çmimi i bukës është rritur me 25 deri 30 për qind.
Kështu buka klasike, ajo që dikur ishte 2 kg dhe kushtonte 4 lekë e më pas u përgjysmua dhe sot është diku 700 deri 800 gramë, është bërë 150 lekë.
Deri dje këto bukë kushtonin 120 lekë.
Sakaq dhe bukët e tjeta si bagetat, franxhollat, paninet, etj., kanë pësuar rritje.
Reagimet e njerëzve janë bërë virale dhe Autoriteti i Konkurrencës, doli me një deklaratë sot ku tha se nisur nga disa informacione në media në lidhje me njoftimin e ndërmarrjeve të prodhimit dhe shitjes së bukës në qytetin e Korçës, të cilat kanë lajmëruar të gjitha pikat e shitjes se çmimi i shitjes së bukës nga 120 lekë do të jetë 150 lekë, duke reflektuar një rritje të njëkohshme me mbi 25%, ngriti menjëherë një Grup Pune për monitorimin e këtij tregu.
Në zbatim të ligjit 9121/2003 “për mbrojtjen e konkurrencës” Autoriteti në mënyrë të menjëhershme po realizon kontrolle në terren me qëllim evidentimin nëse ky njoftim do të zbatohet nga ndërmarrjet dhe, mbi të gjitha, nëse kjo sjellje është abuzive e si rrjedhim në shkelje të ligjit nr.9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Ligji nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndalon të gjitha marrëveshjet të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi.
"Sjellim në vëmendje të ndërmarrjeve të tregtimit të bukës se, shkelja e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet me gjobë, në masën deri në 10 për qind të xhiros së vitit financiar paraardhës të ndërmarrjeve të përfshira në marrëveshje të paligjshme", thotë ky institucion.
E ndërsa rritja galopante e çmimeve po vazhdon, shteti vijon gjumin letargjik që ngacmohet tek tuk nga ndonjë sensibilizim mediatik.
Fakt është se çmimet janë rritur drastikisht që nga buka e deri te shkollimi ku ajo që është shqetësuese është se subjektet fiksojnë çmimet në grup.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






