

KUKËS – Një aksident rrugor u regjistrua mesditën e së enjtes në aksin Morinë–Kukës, pranë fshatit Përbreg, ku një automjet me targa të Kosovë doli nga rruga dhe u përplas me murin mbajtës të autostradës, përpara se të binte disa metra poshtë anës së saj.
Fatmirësisht, nga aksidenti nuk u shënuan të lënduar. Drejtuesi i mjetit, Besart Cecelia, 48 vjeç, arriti të shpëtojë pa pasoja shëndetësore.
Vetë Cecelia ka treguar momentet e aksidentit, duke shpjeguar se shkak ishte lodhja dhe gjumi që e zuri gjatë drejtimit të automjetit.
“Quhem Besart Cecelia, jam nga Vushtrri. Isha duke ardhur nga Kosova për të shkuar në punë. Jam trajner futbolli te FC Basanja. Isha i lodhur dhe në një moment më zuri gjumi. E pashë veten duke dalë nga rruga. Falë Zotit shpëtova dhe jam shumë mirë. Mendoj se lartësia nga e cila rashë ishte më shumë se 10 metra. Isha vetëm në makinë dhe po shkoja drejt Shkodër, pasi kishim stërvitje,” – u shpreh ai.
Trajneri, i cili drejton ekipin FC Basanja në kategorinë e dytë, tha se e konsideron shpëtimin e tij si një mrekulli, duke shtuar se ndihet sikur “ka lindur për së dyti”.


Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






