

One Macedonia Telecommunications DOOEL, pjesë e Grupit 4iG, nënshkroi në Kongresin Botëror Mobile 2026 në Barcelonë, marrëveshjen e furnizimit dhe shërbimeve me kompaninë Ericsson. Kjo marrëveshje do të zhvillojë rrjetin më të përparuar mobile, të pavarur (Standalone SA) 5G, të Maqedonisë së Veriut.
Kontrata mbulon furnizimin e Rrjetit të Aksesit Radio (RAN) dhe pajisjeve të rrjetit bazë, duke përfshirë të gjithë softuerët përkatës, shërbimet e zbatimit dhe mbështetjen teknike afatgjatë.
Sipas afatit të kontratës katërvjeçare, nga viti 2026 deri në vitin 2029, Ericsson do të jetë partneri ekskluziv teknologjik për zbatimin e rrjetit të ri, të pavarur 5G të One Macedonia, i cili do të përfshijë më shumë se 500 stacione bazë 5G brenda 4 viteve.
Pas investimit në marrjen e frekuencave në muajin janar, marrëveshja përshpejton ekzekutimin e strategjisë së investimit prej 100 milionë euro të Grupit 4iG, në Maqedoninë e Veriut.

Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në Kongresin Botëror Mobile 2026, ngjarjen më të madhe në botë për industrinë e telekomunikacionit, çka thekson rëndësinë ndërkombëtare të projektit dhe rolin e Maqedonisë së Veriut në strategjinë rajonale të zgjerimit të Grupit 4iG.
Kjo marrëveshje shënon një moment të rëndësishëm pas deklaratës paraprake të bashkëpunimit vitin e kaluar dhe fillon zyrtarisht vendosjen e një rrjeti në shkallë të plotë në Maqedoninë e Veriut.
Kompania One Macedonia do të ketë një nga rrjetet më moderne të pavarura 5G, të ndërtuara në rajon. Si një projekt investimi nga zero, infrastruktura mund të projektohet pa kufizime të trashëguara, duke mundësuar lidhje me shpejtësi të lartë, pa vonesa, stabilitet të përparuar të rrjetit dhe efikasitet energjetik.
Arkitektura e rrjetit do të ofrojë një platformë digjiitale të gatshme për të ardhmen për konsumatorët, kompanitë dhe institucionet publike. Zbatimi do të jetë plotësisht në përputhje me detyrimet e përcaktuara në licencën e frekuencave, që i janë dhënë kompanisë One Macedonia, më 23 janar 2026. Licenca kërkon mbulim 5G në të paktën një qytet deri në mars 2027, mbulim të rrugëve kryesore ndërlidhëse deri në mars 2029, mbulim të plotë të të gjithë qyteteve deri në mars 2031 dhe mbulim në të gjithë vendin deri në mars 2033.
“Sot ne kalojmë nga strategjia në zbatim. Në vend që të përmirësojmë një rrjet të vjetër, ne po ndërtojmë një themel digjital krejtësisht të ri, të sigurt dhe të gatshëm për të ardhmen në Maqedoninë e Veriut. Duke qenë partner me Ericsson, mund të sigurohemi që infrastruktura jonë përmbush standardet më të larta evropiane të performancës, besueshmërisë dhe sigurisë. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje në Kongresin Botëror Mobile pasqyron ambicien tonë për ta pozicionuar Maqedoninë e Veriut brenda ekosistemit digjital global”,- deklaroi Brano Djurović, Drejtor Ekzekutiv i One Macedonia.
Ericsson gjithashtu theksoi rëndësinë strategjike të këtij partneriteti: “Ndërtimi i një rrjeti të pavarur 5G në terren të ri ofron një mundësi unike për të formësuar një infrastrukturë 5G elastike, të sigurt dhe shumë të shkallëzueshme që nga dita e parë. Jemi krenarë që mbështesim One Macedonia dhe Grupin 4iG në vendosjen e një infrastrukture të gatshme për të ardhmen, bazuar në teknologjinë më të fundit të Ericsson dhe praktikat më të mira globale. Ky rrjet do të ofrojë bazën për shërbime të përparuara digjitale, duke mundësuar inovacionin, rritjen e biznesit dhe lidhjen e përmirësuar në të gjithë Maqedoninë e Veriut”,- tha Antonio Passarella, Drejtor për Evropën Qendrore dhe Ballkanin e Veriut, në kompaninë Ericsson.
Marrëveshja përfshin një kontratë furnizimi me Ericsson AB në Suedi dhe një kontratë shërbimi me Ericsson Macedonia në Shkup. Ky kombinim i ekspertizës globale teknologjike dhe aftësive të fuqishme lokale të zbatimit, siguron efikasitet të pakrahasueshëm gjatë gjithë procesit të zbatimit.
Ky hap shënon fillimin e fazës së ekzekutimit të planit të zhvillimit të rrjetit të One Macedonia, duke përforcuar angazhimin e saj për investime afatgjata, transparencë dhe integrim digjital rajonal.
One Macedonia është operatori më i ri i rrjetit celular në Maqedoninë e Veriut dhe anëtar i plotë i Grupit 4iG, një prej korporatave kryesore të telekomunikacionit dhe Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në Evropën Qendrore dhe Lindore. Si pjesë e strategjisë së zgjerimit të Grupit 4iG në Ballkanin Perëndimor, One Macedonia po ndërton një rrjet të pavarur (SA) 5G, të projektuar për të përmbushur standardet më të larta evropiane të sigurisë, performancës dhe besueshmërisë.
E mbështetur nga ekspertiza rajonale e Grupit 4iG në infrastrukturën e telekomunikacionit, integrimi i IT-së dhe shërbimet digjitale, One Macedonia kombinon njohuritë teknologjike ndërkombëtare me partneritete të forta lokale. Kompania është e përkushtuar ndaj investimeve afatgjata, operacioneve transparente dhe pajtueshmërisë së plotë rregullatore, duke kontribuar në modernizimin e ekosistemit digjital të Maqedonisë së Veriut dhe duke forcuar lidhjen rajonale në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






