Transmetuar më 05-03-2026, 12:31

Vijon operacioni ndërkombëtar i koduar “The Wanted”, i zhvilluar nga Policia e Shtetit për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në kuadër të këtij operacioni, është ekstraduar nga Mbretëria e Bashkuar drejt Shqipëria shtetasi Lorenc Lala, i njohur edhe me identitetet Kristian Lala dhe Ilir Lamberti, 49 vjeç, i lindur në Lushnjë.

Sipas njoftimit të Policia e Shtetit, ekstradimi u bë i mundur falë bashkëpunimit mes Interpol Tirana dhe homologëve të tyre në Mbretërinë e Bashkuar. Procedurat për kthimin e tij në vend u finalizuan në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”.

49-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me vendim të datës 1 tetor 2023, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale: “Vrasja për gjakmarrje”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, të kryera në formën e bashkëpunimit në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

49 vjeçari nga Lushnja dyshohet se ka bashkëpunuar me Laert Haxhiun Artan Tafani, bashkëpunëtor i drejtësisë, Lulzim Spahija, Enriko Xhahysa dhe Bledar Berberi për të vrarë Albi Bashaliu, ngjarje e ndodhur në muajin dhjetor të vitit 2021, në fshatin Gjocaj të Peqinit.

Lorenc Lala dyshohet të ketë siguruar armët e përdorura në krim, si dhe ka siguruar mjetet e transportit të grupit kriminal dhe largimin e tyre nga vendi i ngjarjes.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit