

KORÇË – Aksi rrugor Maliq–Lozhan–Strelcë ka pësuar dëmtime të reja pasi u përdor për disa ditë si rrugë alternative nga drejtuesit e mjeteve që udhëtonin drejt Gramsh, pas bllokimit të aksit Librazhd–Prrenjas.
Për më shumë se 10 ditë, ky segment rrugor u përdor intensivisht nga automjetet që devijuan qarkullimin për shkak të problemeve në aksin kryesor. Fluksi i shtuar i mjeteve dhe qarkullimi i vazhdueshëm duket se kanë rënduar gjendjen e rrugës.
Në disa segmente janë shfaqur rrëshqitje dherash dhe dëmtime të barrierave mbrojtëse, ndërsa në pjesë të tjera janë konstatuar çarje të thella në asfalt dhe deformime të trupit të rrugës.
Edhe pse pas rihapjes së aksit kryesor qarkullimi është ulur ndjeshëm, dëmtimet e krijuara mbeten një problem serioz për këtë rrugë. Deri më tani nuk është ndërhyrë për riparimin e tyre, ndërsa ekspertët theksojnë se kërkohet ndërhyrje e menjëhershme për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.
Aksi rrugor është ndërtuar nga kompania Gjikuria dhe investimi për realizimin e tij ka arritur në rreth 1.4 miliardë lekë. Problematikat e përsëritura në këtë rrugë kanë ngritur shpesh pikëpyetje mbi cilësinë e punimeve të kryera.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






