

Person i maskuar merr 120 mijë lekë në një pikë këmbimi valutor në Tiranë dhe largohet me motor
Një grabitje e dhunshme është regjistruar paraditen e sotme në zonën e “5 Majit” në Tiranë, ku një person ende i paidentifikuar ka marrë rreth 1.2 milionë lekë të vjetra (120 mijë lekë të reja) nga një pikë këmbimi valutor.
Sipas informacioneve, autori i maskuar ka hyrë në ambientet e pikës së këmbimit dhe, nën kërcënimin e një sendi në dukje armë zjarri, ka marrë shumën e parave nga punonjësit që ndodheshin brenda.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:10 te pika Western Union në qendrën tregtare Concord në rrugën 5 Maji në kryeqytet. Pas marrjes së parave, autori është larguar fillimisht me vrap nga vendngjarja dhe më pas është larguar me motor në rrugicat e zonës së “5 Majit”.
Policia bëri të ditur se pas marrjes së njoftimit, shërbimet kanë shkuar në vendngjarje, kanë bërë rrethimin e zonës dhe kanë ngritur pika kontrolli në akset rrugore përreth.
Aktualisht, forcat e policisë po vijojnë kontrollet dhe po krehin zonën për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit.
Ndërkohë, grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ky është momenti, kur ky person ende i paidentifikuar, nën kërcënimin e armës ka grabitur rreth 1.2 milionë lekë të vjetra (120 mijë lekë të reja) në një pikë këmbimi valutor në zonën e “5 Majit” në Tiranë.


Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






