

Një rast tronditës në Koreja e Jugut ka shkaktuar debat të gjerë publik, pasi një grua 20-vjeçare e dyshuar për disa helmime vdekjeprurëse ka marrë mbështetje dhe admirim në internet nga një pjesë e përdoruesve, të cilët madje kërkojnë lirimin nga burgu për shkak të pamjes së saj.
Policia arrestoi Kim Son Young, e cila dyshohet se ka helmuar disa burra gjatë muajve të fundit. Sipas hetimeve, tre raste kanë ndodhur brenda një periudhe dy-mujore, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që numri i viktimave të arrijë deri në pesë.
Sipas mediave vendase, e reja ishte bërë e njohur në internet përmes blogut të saj personal, ku kishte krijuar një numër të madh ndjekësish, shumica meshkuj që e ftonin në takime. Hetuesit dyshojnë se gjatë këtyre takimeve ajo u hidhte fshehurazi në pije një përzierje qetësuesish. Nga rastet e dokumentuara deri tani, dy persona kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër mbijetoi, por qëndroi në koma për dy ditë.
Hetimet dhe provat e gjetura
Pas arrestimit, hetuesit gjetën në telefonin e të dyshuarës receta për përgatitjen e përzierjeve toksike. Sipas policisë, ajo kishte kërkuar në mënyrë të vazhdueshme në internet për ilaçe dhe përbërës të ndryshëm, duke eksperimentuar me kombinime dhe doza të ndryshme.
Rasti po hetohet nga Departamenti i Policisë së Distriktit Gangbuk në Seul. Autoritetet bëjnë të ditur se 20-vjeçarja iu nënshtrua një testi psikologjik për identifikimin e psikopatisë dhe mori 25 pikë nga 40 të mundshme. Testi vlerëson tipare si impulsiviteti, mungesa e empatisë, gjakftohtësia dhe prirja për manipulim.
Ndërkohë, familjet e viktimave kanë reaguar me zemërim për mbështetjen që ajo po merr në rrjetet sociale. Sipas tyre, krimet mund të ishin parandaluar nëse policia do të kishte reaguar më shpejt pas sinjaleve të para.

Si nisi rasti
Alarmi i parë u dha më 29 janar 2026, kur një punonjës hoteli njoftoi policinë pasi nuk arriti të zgjonte një mysafir. Mjekët që mbërritën në vendngjarje konfirmuan vdekjen e një burri 20-vjeçar.
Dymbëdhjetë ditë më vonë ndodhi një incident i ngjashëm në një hotel tjetër në të njëjtën zonë, çka çoi në identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarës po atë mbrëmje. Sipas hetuesve, rreth gjysmë ore para arrestimit, ajo kishte publikuar një tjetër fotografi në rrjetet sociale.
Gjatë marrjes në pyetje, Kim pranoi se u kishte dhënë burrave qetësues në pije, por pretendoi se synimi i saj ishte vetëm t’i vinte në gjumë pas mosmarrëveshjeve që kishte pasur me ta. Fillimisht, ajo u akuzua për shkaktim të lëndimeve të rënda dhe shkelje të ligjit për drogën, por më pas çështja u riklasifikua si vrasje.
Hetimet po vazhdojnë, ndërsa policia po analizon kontaktet e saj dhe po kërkon persona të tjerë që mund të kenë humbur ndjenjat pas takimeve me të. Ndërkohë, popullariteti i saj në internet është rritur ndjeshëm: numri i ndjekësve në rrjetet sociale është rritur nga rreth 200 në afro 11,700 brenda pak ditësh.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






