Transmetuar më 05-03-2026, 09:15

Kapet në Tiranë 37-vjeçari i kërkuar nga Vlora për djegien e një biznesi

Policia e Shtetit ka bërë të mundur kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim për shkatërrim të pronës me zjarr. Bëhet fjalë për djegien e mobilerisë Aliko në Vlorë.

Operacioni u realizua nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë nr. 6 në Tiranë.

Në pranga ra shtetasi Bledar Balliu 37 vjeç, banues në Vlorë. Ai ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendim të datës 13 janar 2026, kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “Shkatërrim i pronës me zjarr”.

Sipas hetimeve të kryera nga Policia, më 11 nëntor 2025, në orët e para të mëngjesit, në lagjen “28 Nëntori” në Vlorë, 37-vjeçari dyshohet se i ka vënë zjarrin katit të parë të një subjekti privat, duke shkaktuar dëme materiale të mobilerisë Aliko.

Në pamjet e kamerave të sigurisë shihen momentet kur i riu i afrohet mobilerisë, thyen xhamin e derës me çekiç, zbraz një bidon me benzinë dhe i vë flakën mobilerisë. Më pas, ai shihet duke ikur me vrap nga vendi i krimit.

Pas një pune hetimore disa mujore dhe përdorimit të metodave speciale të hetimit, policia arriti të lokalizojë dhe të ndalojë të kërkuarin.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit