Transmetuar më 04-03-2026, 21:52

Mark Nikollë Biba jeton i vetëm në fshatin Zejmen, ku u zhvendos pas vrasjes së babait të tij më 1943, në moshën 8-vjeçare. Për 11 vite, kujdesin për të e morën kushërinjtë deri sa arriti moshën madhore.

Gjatë jetës së tij, Marku ka përjetuar dhe ka marrë pjesë në ngjarje të ndryshme që shënjuan historinë e Shqipërisë: nga periudha e komunizmit, kalimi në demokraci, e deri te shlyerja e gjakut – një praktikë kanunore që ka funksionuar për shekuj.

Sot, Marku është misionar i pajtimit të gjaqeve. Ai ka falur gjakun e babait, por më vonë është rikthyer në gjakmarrje për shkak të një vrasjeje të kryer nga djali i tij.

Kanuni mbi tavolinë

I ngujuar, Marku i referohet të drejtës zakonore për zgjidhjen e konflikteve. “Kanuni i Lekë Dukagjinit është ligji për mua. Korrupsioni i sistemit të drejtësisë më bën të besoj më shumë në Kanun se sa në ligjin shtetëror,” shprehet ai.

Ai shton:

“Çka ndreq e drejta zakonore e shqiptarëve dhe feja nuk e ndreq asgjë tjetër, por sot nuk mund ti ndreq askush sepse është nga polici e deri tek më i madhi – kërkojnë pare dhe me u pasunu me gjak shqiptarësh.”

Gjakmarrja gjatë monizmit dhe pas viteve ’90

Mark Nikollë Biba rrëfen se gjakmarrja nuk u zhduk as gjatë viteve të komunizmit, dhe u rizgjua pas viteve ’90, duke rikthyer konflikte të mbetura pezull për dekada.

“Në vitet ’60 pushteti i asaj kohe i pajtoi gjaksit, por ishte pajtim formal. Gjaku falet vetëm me një kusht – qoftë edhe me një vlerë simbolike, dhe nëse nuk jepet, gjaku nuk shuhet kurrë.”

Gjatë trazirave të vitit 1997, Marku dhe familja e tij vendosën të merrnin hakun e babait të vrarë 54 vite më parë në fshatin Lufaj, ku konflikti kishte nisur për një punë të papaguar. Pajtimi u realizua me ndërmjetësimin e 12 burrave sipas Kanunit. Familja që kishte kryer vrasjen i dha truallin e shtëpisë dhe dëmshpërblimin për punën e papaguar, duke u shpërngulur nga fshati.

Marku tregon:

“Lekë nuk kërkova për babën. Dua që ai të dali nga trolli komplet siç dola unë kur u rrita. Tokën e dorëzoi, pagoi 7 milionë e 812 mijë lekë të punës që kishte bërë baba në ’42. Sot, të dy familjet respektojnë njëri-tjetrin si shtëpi.”

Ai përfundon duke theksuar:

“Ka qenë vendimi më i mirë me e fal. Si kisha me e vra unë atë që e kishte peshu baba në derë të kishës?”

Historia e Mark Nikollë Bibës është një dëshmi se gjakmarrja ka vazhduar të ndikojë në jetën e njerëzve dhe shoqërisë shqiptare, edhe pas dekadash dhe ndryshimesh politike.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit