Transmetuar më 04-03-2026, 21:12

Kreu i SPAK-ut, Klodian Braho, për më shumë se katër orë ka raportuar në Bruksel përpara përfaqësuesve të Komisionit Evropian.

Burime nga Delegacioni i Shqipërisë në BE, në kushte anonimiteti, i thanë gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, se Klodian Braho nuk ka qenë i vetëm në këtë “provim” të parë në Bruksel pas marrjes së detyrës.

Klodian Braho është ulur në të njëjtën tryezë, i shoqëruar nga disa hetues dhe këshilltarë ligjorë të BKH-së, njëra prej tyre Sadleva Bodo.

Ndërsa në të majtën e tij ka qëndruar Fabian Zhilla, shefi i kabinetit.

Të njëjtat burime treguan se kjo përballje e Klodian Brahos në Bruksel me Komisionin Evropian lidhej me raportimin e progresit të kapitujve 23 dhe 24 për Gjyqësorin dhe të Drejtat Themelore.

Numri një i SPAK-ut u është përgjigjur me detaje të gjitha pyetjeve të përfaqësuesve të DG ENEST-it, Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore.

Detyra parësore e kësaj drejtorie në Komisionin Evropian është menaxhimi i çështjeve mes BE-së dhe vendeve kandidate.

Ajo monitoron hap pas hapi reformat për sundimin e ligjit, zhvillimet ekonomike dhe reformën në administratën publike.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit