

Evropa po përgatitet për një përshkallëzim të mundshëm të tensioneve pasi Irani ka paralajmëruar se mund të godasë qytete europiane nëse vendet e kontinentit përfshihen në operacionet ushtarake të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kundër Teheranit.
Sipas raportimit të medias amerikane Politico, disa qeveri evropiane kanë rritur nivelin e sigurisë, ndërsa frika lidhet me mundësinë e sulmeve me raketa, dronë, operacione kibernetike apo edhe atentate të mundshme.
Dronë iranianë kanë shënjestruar tashmë Qipron, ku një prej tyre goditi një bazë të Forcave Ajrore Mbretërore britanike në Akrotiri, ndërsa disa të tjerë u rrëzuan para se të arrinin objektivat. Pas këtij incidenti, Britania e Madhe, Franca dhe Greqia dërguan avionë luftarakë, anije dhe helikopterë në Qipro për të forcuar mbrojtjen.
Më herët sot një raketë balistike u lëshua nga Irani duke përshkuar disa shtete derisa u rrëzua në territorin e Turqisë e fragmentuar nga mbrojtja ajrore e NATO-s.
Ndërkohë, pasi liderët e Britanisë, Francës dhe Gjermanisë kanë deklaruar se janë të gatshëm të ndërmarrin veprime mbrojtëse ushtarake në Lindjen e Mesme, Teherani ka paralajmëruar se çdo veprim i tillë mund të çojë në kundërpërgjigje ndaj këtyre vendeve edhe në territor europian.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, deklaroi për mediat shtetërore se çdo veprim kundër Iranit do të konsiderohet akt lufte.
“Çdo veprim i tillë kundër Iranit do të konsiderohet bashkëpunim me agresorët dhe do të trajtohet si një akt lufte kundër Iranit”, tha ai.
Edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, paralajmëroi se kërcënimi iranian mund të shtrihet përtej Lindjes së Mesme dhe të prekë edhe Europën.
“Irani ka kapacitete bërthamore dhe raketave balistike. Kjo përbën një kërcënim jo vetëm për rajonin, por edhe për Europën”, tha ai.
Ekspertët paralajmërojnë se Irani ka zhvilluar raketa me rreze të mesme veprimi deri në rreth 2000 kilometra, të cilat mund të arrijnë në disa pjesë të Europës Juglindore, përfshirë Greqinë, Bullgarinë dhe Rumaninë, në varësi të vendit të lëshimit. Distanca ajrore mes Iranit dhe Shqipërisë është 3.192 km në skajin më të largët dhe 2.800 km në skajin më të afërt ajror.
Disa analiza sugjerojnë gjithashtu se një raketë e modifikuar me rreze më të gjatë mund të arrijë deri në 3000 kilometra, çka potencialisht do të vinte në rrezik edhe vende si Shqipëria, qytete si Berlini apo Roma, megjithëse numri i këtyre raketave besohet të jetë i kufizuar.
Një tjetër rrezik lidhet me përdorimin e dronëve iranianë të tipit “Shahed”, të cilët kanë një rreze veprimi që mund të arrijë deri në 2500 kilometra. Këta dronë janë përdorur më parë edhe në luftën në Ukrainë.
Analistët paralajmërojnë gjithashtu për mundësinë e përdorimit të dronëve komercialë ose pajisjeve të improvizuara për të krijuar kaos në Europë, për shembull duke ndërprerë trafikun ajror në aeroporte apo duke goditur objektiva ushtarake.
Përveç kërcënimeve fizike, ekziston edhe rreziku i sulmeve kibernetike. Ekspertët thonë se Irani konsiderohet një nga aktorët kryesorë në luftën kibernetike kundër Perëndimit, krahas Rusisë, Kinës dhe Koresë së Veriut.
Autoritetet europiane kanë paralajmëruar se infrastruktura kritike dhe institucionet shtetërore mund të jenë objektiv i operacioneve kibernetike nëse konflikti vazhdon të përshkallëzohet.
Megjithatë, sipas disa zyrtarëve të sigurisë kibernetike, deri tani nuk ka prova të qarta se Irani ka nisur një fushatë të gjerë sulmesh kibernetike kundër vendeve europiane, por rreziku mbetet i lartë nëse Europa përfshihet më drejtpërdrejt në konflikt.
Foto e shpërndarë nga Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar që tregon një avion luftarak RAF F-35B Typhoon duke u përgatitur për operacione nga Akrotiri, Qipro. Teherani ka kërcënuar se hakmarrja për veprimet në Lindjen e Mesme mund të përfshijë sulme në tokën evropiane. | Sgt Lee Goddard / E drejta e autorit e Kurorës së MoD përmes Getty Images
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






