

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se kapaciteti ushtarak i Iranit po dobësohet ndjeshëm dhe se vendi po mbetet pa pajisje për lëshimin e raketave.
Në një intervistë telefonike me median amerikane Politico, Trump tha se ushtria iraniane po humbet gradualisht aftësinë për të kryer sulme të reja, edhe pse sipas tij Irani mund të vazhdojë të lëshojë raketa edhe për një periudhë të shkurtër.
“Ata po mbeten pa raketa dhe po mbeten edhe pa zona nga ku mund t’i lëshojnë, sepse po shkatërrohen. Po mbeten dhe pa lëshues raketash”, deklaroi Trump.
Kjo deklaratë nuk ishte përmendur më parë në konferencat zyrtare të Pentagonit apo nga zyrtarë të tjerë të administratës amerikane.
Deklaratat e presidentit amerikan vijnë ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të rriten dhe Irani ka kryer një seri kundërsulmesh me raketa dhe dronë pas nisjes së operacioneve ushtarake nga SHBA dhe Izraeli.
Për shkak të situatës së përshkallëzuar, ambasadat amerikane në Arabinë Saudite dhe në Kuvajt njoftuan se do të mbyllen përkohësisht, ndërsa Departamenti i Shtetit u bëri thirrje qytetarëve amerikanë që ndodhen në Lindjen e Mesme të largohen nga rajoni.
Trump deklaroi gjithashtu se industria ushtarake amerikane është vendosur në gjendje emergjente për prodhimin e armëve dhe municioneve.
“Kompani të mbrojtjes janë duke prodhuar me ritëm të shpejtë gjithçka që na nevojitet. Ato janë nën urdhra emergjentë. Po i prodhojmë shumë shpejt”, tha ai.
Presidenti shtoi se SHBA disponon sasi të mëdha municionesh dhe se rezervat e vendit janë të konsiderueshme.
Megjithatë, disa zyrtarë amerikanë kanë paralajmëruar për mundësi mungesash në disa sisteme mbrojtëse. Senatori Richard Blumenthal deklaroi se ekziston rreziku për mungesë të sistemeve mbrojtëse THAAD dhe Patriot, të cilat janë të rëndësishme për mbrojtjen e ambasadave, bazave ushtarake dhe civilëve amerikanë.
Sa i përket kohëzgjatjes së konfliktit, Trump tha se lufta mund të zgjasë katër ose pesë javë, por nuk përjashtoi mundësinë që ajo të përfundojë edhe brenda disa ditësh.
Presidenti amerikan e justifikoi ndërhyrjen ushtarake duke thënë se Irani ishte pranë krijimit të një arme bërthamore ose kishte aftësinë të sulmonte Shtetet e Bashkuara.
Ai shtoi gjithashtu se do të ishte i gatshëm të bashkëpunonte me një qeveri të re iraniane nëse një e tillë do të krijohej pas përfundimit të konfliktit.
“Nuk është vonë për të bashkëpunuar me drejtues të rinj. Mos harroni se 49 drejtues të lartë iranianë janë vrarë. Të tjerë të rinj po shfaqen dhe shumë njerëz duan këtë post”, u shpreh Trump.
Media amerikane: Kapacitetet e Iranit kanë mbetur të paprekura
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






