Transmetuar më 04-03-2026, 19:58

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, foli sot për mundësinë e dërgimit të trupave tokësore amerikane në Iran, gjatë deklaratave të tij të para publike për operacionin e përbashkët ushtarak të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

Duke folur në Pentagon së bashku me kryetarin e Shefave të Shtabit të Përbashkët, gjeneralin Dan Caine, Hegseth tha se sulmet e nisura gjatë fundjavës nuk kanë një afat të përcaktuar për përfundimin e tyre dhe synojnë shkatërrimin e programeve ushtarake dhe bërthamore të Iranit.

I pyetur në mënyrë specifike për mundësinë e dërgimit të trupave tokësore amerikane në rajon, Hegseth tha se aktualisht nuk ka trupa të tilla në terren, por nuk pranoi ta përjashtojë këtë skenar.

“Aktualisht nuk ka trupa tokësore atje, por nuk do të hyjmë në diskutime se çfarë do të bëjmë apo nuk do të bëjmë në vijim”, deklaroi ai.

Kjo qasje, që lë të hapur mundësinë e përfshirjes së trupave tokësore dhe një afat të papërcaktuar për operacionet ushtarake, bie në kontrast me premtimet e presidentit Donald Trump gjatë fushatës elektorale, kur ai kishte deklaruar se nuk do të niste luftëra të reja.

Në fjalimin e tij të fitores në nëntor 2024, Trump kishte theksuar: “Nuk do të nis luftëra. Do t’i ndal luftërat", citon Politico USA.

Administrata Trump ka kritikuar shpesh luftërat e gjata të administratave të mëparshme amerikane, të cilat u zgjatën për vite me radhë, si në rastin e Afganistanit.

Megjithatë, Hegseth theksoi se situata aktuale është ndryshe.

“Kjo nuk është Iraku dhe nuk është një luftë e pafund”, tha ai.

Sipas zyrtarëve amerikanë, sulmet ndaj Iranit kanë goditur deri tani mbi 1,000 objektiva brenda territorit iranian dhe operacionet janë ende duke vazhduar.

Gjenerali Dan Caine deklaroi se sulmet janë ndërmarrë për të parandaluar Iranin që të projektojë fuqinë e tij ushtarake përtej kufijve.

Ndërkohë Hegseth shtoi se Irani po zhvillonte raketa dhe dronë të fuqishëm për të krijuar një mburojë konvencionale që do të mbështeste ambiciet e tij bërthamore.

“Irani po ndërtonte raketa dhe dronë të fuqishëm për të krijuar një mburojë për ambiciet e tij bërthamore. Ata kishin një armë konvencionale drejtuar ndaj nesh”, deklaroi ai.

Ai shtoi se qëllimi i sulmeve është të sigurohet që Irani të mos mund të përdorë këtë mburojë ushtarake për të vazhduar ndjekjen e ambicieve bërthamore.

Ndërkohë, që nga e shtuna, katër ushtarë amerikanë janë vrarë në një sulm me raketa ndaj një baze amerikane në Kuvajt. Gjithashtu, mbrojtja ajrore e Kuvajtit rrëzoi gabimisht tre avionë luftarakë amerikanë F-15E. Të gjashtë anëtarët e ekuipazhit kanë mbijetuar pas rrëzimit të avionëve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit