

PRISHTINË – Lëvizja Vetëvendosje ka zyrtarizuar kandidaturën e Glauk Konjufca për President të Republikës së Kosovës. Lajmi u bë publik këtë të mërkurë përmes një deklarate zyrtare të subjektit politik.
Sipas njoftimit, pas përpjekjeve për të arritur një marrëveshje me opozitën, Vetëvendosje ka vendosur të propozojë për kreun e shtetit ish-kryetarin e Kuvendit dhe ish-ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, duke e cilësuar atë si “deputetin e shtatë legjislaturave dhe njeriun e dytë më të votuar në historinë e Republikës së Kosovës”.
Në deklaratë theksohet se zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 prodhuan “rezultatin më të qartë në historinë e Kosovës së pasluftës”, duke e interpretuar votën qytetare si mesazh kundër bllokimit institucional dhe në favor të themelimit të institucioneve.

Vetëvendosje nënvizon se, pas konstituimit të Kuvendit dhe Qeverisë, procesi i radhës mbetet zgjedhja e presidentit, për të cilën kërkohet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në sallë.
Subjekti fitues i zgjedhjeve shprehet se ka ofruar mundësinë e një kandidati konsensual dhe ka ftuar disa herë opozitën për të propozuar emra të përbashkët. Megjithatë, sipas saj, nuk ka pasur propozime konkrete nga ana e partive opozitare.
“Jemi të bindur se kjo sfidë është e kalueshme, zgjedhjet janë të evitueshme dhe është plotësisht e mundshme të gjejmë pajtueshmëri për të ecur përpara”, thuhet në deklaratë.
Kandidatura e Konjufcës vjen në një moment kyç për institucionet e vendit, ndërsa pritet të shihet nëse do të arrihet konsensus politik për zgjedhjen e presidentit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






