Transmetuar më 04-03-2026, 15:31

PRISHTINË – Ministria e Tregtisë ka nënshkruar sot vendimin për caktimin e çmimeve maksimale të produkteve të naftës, pas rritjes së menjëhershme të çmimeve të derivateve si pasojë e ngjarjeve në Lindjen e Mesme.

Ky vendim synon mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë dhe të ndershme në tregun vendor. Ai vjen pas monitorimit të vazhdueshëm të tregut të naftës, analizimit të evidencave ditore nga Dogana e Kosovës dhe raporteve të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ku u konstatua se rritjet nga importi janë reflektuar menjëherë në çmimet e shitjes.

Marzha tregtare maksimale e lejuar

Shitja me shumicë: deri në 2 eurocentë për litër

Shitja me pakicë: deri në 12 eurocentë për litër

Inspektorët do të mbikëqyrin zbatimin e këtij vendimi në terren. Llogaritja e marzhës maksimale bëhet sipas nenit 4, paragrafi 1.1 dhe 1.2 të Udhëzimit Administrativ Nr. 03/2022 për rregullimin e çmimeve të produkteve të naftës dhe karburanteve të ripërtëritshme dhe masat tjera mbrojtëse.

Vendimi hyn në fuqi një ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, ndërsa çdo shkelje apo moszbatim do të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi.

Ministria thekson se vendimi ka për qëllim të sigurojë konkurrencë të ndershme dhe mbrojtje të konsumatorëve në tregun e Republikës së Kosovës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit