Transmetuar më 04-03-2026, 12:05

Operacioni ‘Delivery’ në Shkodër, në pranga Mateo Marashi, Zef Marashi dhe një 17-vjeçar

Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Delivery”, i zhvilluar për goditjen e veprimtarive të paligjshme të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje.

Gjatë operacionit janë sekuestruar dy armë zjarri, municion luftarak, lëndë narkotike kanabis e ndarë në mbi 300 doza të gatshme për shpërndarje, një motomjet dhe katër telefona celularë.

Sipas policisë, tre persona janë vënë në pranga, ndërsa një tjetër është proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Dy nga personat e përfshirë u kapën në flagrancë ndërsa qarkullonin me një motomjet në qytetin e Shkodrës, ku dyshohet se po shpërndanin doza të lëndës narkotike.

Kontrollet u zhvilluan nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.

Gjatë kontrollit fizik ndaj drejtuesit të motomjetit, një 17-vjeçar që nuk kishte leje drejtimi, dhe ndaj pasagjerit Mateo Marashi policia gjeti një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis të ndarë në disa doza të gatshme për shpërndarje.

Në vijim të operacionit, policia kreu kontrolle në banesën e shtetasit Mateo Marashi, ku ndodheshin edhe P. Marashi, vëllai i tij, dhe Zef Marashi, xhaxhai i tyre. Gjatë kontrollit në banesë u gjet një tjetër sasi kanabisi e ndarë në rreth 280 doza, qese farmaceutike, një pushkë, një pistoletë, municion luftarak dhe katër telefona celularë.

Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë shtetasit Mateo Marashi, 18 vjeç, Zef Marashi, 36 vjeç dhe nipi tjetër 17 vjeçar.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit