

Siçili, Itali – Një aksident tragjik ka ndodhur më 1 mars në autostradën Naro–Camastra, duke rezultuar me një viktimë dhe gjashtë të plagosur. Përplasja ndodhi mes një automjeti dhe një kamioni që transportonte fruta dhe perime në orët e para të mëngjesit.
Viktima është Flori Topalli, 24-vjeç, emigrant shqiptar në Itali. Familjarët e tij kanë bërë apel për ndihmë financiare për të mundësuar transportimin e trupit drejt Shqipërisë, ku do të zhvillohet ceremonia mortore.
Nga të plagosurit, gjendja më e rëndë paraqitet për shoferin 39-vjeçar të automjetit ku udhëtonte viktima. Ai fillimisht u trajtua në Spitali Barone Lombardo dhe më pas u transferua në Villa Sofia Hospital për mjekim më të specializuar. Mjekët janë të rezervuar për gjendjen e tij shëndetësore. Të plagosurit e tjerë marrin trajtim në spitalet e Canicattì dhe Agrigento dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Pesë punëtorët shqiptarë të përfshirë në aksident, të moshës 24–39 vjeç, jetonin në zonat e Canicattì dhe Naro dhe punonin në sektorin e bujqësisë sezonale.
Karabinierët italianë kanë nisur hetimet për të sqaruar shkaqet dhe dinamikën e aksidentit fatal.
Motra e Florit kërkon ndihmë
Motra e të ndjerit, ka kërkuar ndihmë përmes FoundMe:
"Unë jam Kesmentina Topalli, motra e të ndjerit Flori Topalli, 24-vjeçarit që humbi jetën tragjikisht në një aksident automobilistik në Itali, ditën e sotme, më 02.03.2026.
Me dhimbje të thellë në zemër dhe në pamundësi ekonomike për të sjellë trupin e vëllait tonë të dashur pranë familjes, ju drejtohemi me përulësi për ndihmë, sado të vogël, që ai të prehet pranë shtëpisë dhe njerëzve të tij.
Çdo kontribut është një mbështetje e madhe për familjen tonë në këtë moment të vështirë.
Ju falënderojmë nga zemra dhe Zoti ju bekoftë për bujarinë dhe solidaritetin tuaj.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






