Transmetuar më 04-03-2026, 09:46

Punimet në segmentin e dëmtuar të Korridorit VIII në zonën e “Arrave të Gurrës”, në Dragostunjë të Librazhdit, janë pezulluar përkohësisht pas një rrëshqitjeje masive që shkaktoi fundosjen e një sipërfaqeje prej rreth 1,500 m². Incidenti preku rrugën kombëtare ekzistuese, segmentin në ndërtim të Korridorit VIII, trasenë e hekurudhës Librazhd–Xhyrë dhe rrjetin e Tensionit të Lartë.

Për të garantuar sigurinë e qarkullimit, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka urdhëruar moskryerjen e punimeve deri në përfundimin e ndërtimit të një rruge alternative provizore prej 1.3 kilometrash, e cila do të ndërtohet paralel me trasenë e hekurudhës dhe përgjatë lumit Shkumbin, për të devijuar trafikun dhe për të krijuar kushte të sigurta për rifillimin e ndërhyrjeve.

Drejtori i ARRSH-së, Ami Kozeli, njoftoi se ndërtimi i rrugës alternative do të zgjasë minimalisht 60 ditë, dhe vetëm pas përfundimit të saj do të rifillojnë punimet në segmentin e dëmtuar.

Zona e Arrave të Gurrës konsiderohet një pikë kritike gjeologjike, ndërsa institucionet përgjegjëse monitorojnë situatën për të shmangur rreziqe dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe mbarëvajtjen e projektit. Rikthimi i qarkullimit në aksin Librazhd–Prrenjas ka lehtësuar lëvizjen e automjeteve, por stabilizimi përfundimtar i segmentit mbetet sfidë për muajt e ardhshëm.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit