

Braçe paralajmëron për rritjen e çmimit të naftës: Nëse ka abuzim, duhen masa të menjëhershme: Kur abuzimi ulërin, reagimi duhet të jetë i menjëhershëm
Deputeti i Partisë Socialiste dhe ish-zëvendëskryeministri Erion Braçe ka reaguar ndaj paralajmërimeve për rritje të çmimit të karburanteve në vend, duke ngritur shqetësime për mundësinë e abuzimit në treg.
Në një reagim publik, Braçe tha se sipas deklarimeve të operatorëve të tregut të hidrokarbureve, çmimi i naftës mund të rritet me rreth 20 lekë për litër brenda 48 orëve dhe më pas deri në 40 lekë për litër, duke e lidhur këtë me zhvillimet në bursat ndërkombëtare.
Deputeti theksoi se aktualisht çmimi i naftës në pompa është rreth 173 lekë për litër dhe, sipas tij, ky çmim ka mbetur i pandryshuar për gati një vit, pavarësisht luhatjeve që kanë ndodhur në bursë apo në kursin e valutave ndërkombëtare.
Braçe argumentoi se nëse çmimi nuk ka ndryshuar gjatë periudhave kur bursa dhe kursi i dollarit apo euros kanë rënë, nuk duhet të përdoret konflikti aktual në rajon si arsye për një rritje të menjëhershme të çmimit në tregun vendas.
Ai u shpreh se këtë shqetësim e ka ngritur edhe në diskutimet brenda Partisë Socialiste, duke theksuar se në rast se ka shenja abuzimi, reagimi institucional duhet të jetë i shpejtë dhe efektiv për të mbrojtur qytetarët.
Sipas Braçes, në të kundërt qytetarët dhe vetë qeveria do të përballen me pasojat e rritjes së çmimeve, ndërsa operatorët e tregut mund të përfitojnë financiarisht nga situata.
Në fund të reagimit të tij, deputeti përmendi edhe mundësinë e përdorimit të Bordit të Transparencës së Hidrokarbureve, një mekanizëm që u përdor gjatë krizës së luftës në Ukrainë për të monitoruar çmimet e karburanteve.
Ai theksoi se ky bord nuk është shpallur asnjëherë antikushtetues dhe se, nëse funksionon në mënyrë profesionale dhe me fokus interesin publik, mund të shërbejë si një nga masat për të parandaluar abuzimet në tregun e karburanteve.
Erion Braçe deputet i PS, ish zëvendëskryeministër:
SI, SI, DO RRISNI CMIMIN E NAFTES??
KARTELI I HIDROKARBUREVE QE VEPRON SI SHOQATE, PASKA THENE QE DO RRISE CMIMIN ME 20 LEKE PER 48 ORE, DERI NE 40 LEKE PER LITER NE VIJIM!
ARSYEJA E TYRE-BURSA!! Kur i toleron, keta i bejne te gjitha, te bejne edhe per budalla!
CMIMI I NAFTES SOT NE POMPE ESHTE 173 LEKE; ESHTE I TILLE PREJ NJE VITI E NUK KA LEVIZUR NJE DITE TE VETME!
Ndryshoi BURSA, u rrenua DOLLARI e EURO dhe CMIMI i ketyre nuk ndryshoi, zero, asnje qindarke!
Tani cmimi do ndryshoj per 48 ore nga LUFTA?!
Ua thashe edhe kolegeve te mi ne Partine Socialiste sot ne mengjes: KUR ABUZIMI ULERET, KUNDERMASA DUHET TE JETE E SHPEJTE DHE EFEKTIVE! Ndryshe ne do paguajme abuzimin si qytetare e si Qeveri, keta thjeshte do pasurohen!
E fundit gje; BORDI I HIDROKARBUREVE QE U PERDOR GJATE KOHES SE LUFTES NE UKRAINE- NUK ESHTE SHPALLUR ANTIKUSHTETUES NDONJEHERE! Nese do jete profesional dhe me fokus interesin publik, mund te jete nje nga kundermasat ndaj ABUZIMIT!
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






