Transmetuar më 04-03-2026, 07:39

Përshkallëzimi i konfliktit mes Izraelit dhe Iranit po reflektohet drejtpërdrejt edhe në tregun shqiptar të turizmit. Ndryshe nga anulimet masive që raportohen në disa vende europiane, në Shqipëri fenomeni paraqitet më i heshtur, por me ndikim të ndjeshëm: rezervimet e reja për Turqinë janë pothuajse të ngrira.

Operatorët turistikë raportojnë se, megjithëse ofertat “early booking” për sezonin veror vijojnë të jenë aktive deri në fund të marsit, ritmi i prenotimeve ka rënë ndjeshëm ditët e fundit. Paketat mbeten në shitje dhe çmimet promocionale nuk janë tërhequr, por klientët po tregohen më të rezervuar në konfirmimin e udhëtimeve.

Situata aktuale nuk karakterizohet nga valë anulimesh, por nga mungesë prenotimesh të reja. Ndërkohë, familjet që kanë rezervuar gjatë janarit dhe shkurtit po kërkojnë informacion shtesë mbi sigurinë dhe mbi mundësinë e rimbursimit në rast përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit.

Mësohet se interesi i klientëve është zhvendosur nga cilësia e hotelit apo shërbimeve, drejt garancive financiare dhe politikave të anulimit për arsye sigurie.

Turqia, destinacioni kryesor në pikëpyetje

Prej vitesh, Turqia mbetet zgjedhja kryesore për pushimet familjare të shqiptarëve. Destinacione si Antalia, Bodrumi dhe Belek janë konsoliduar si produkte standarde të paketave verore, falë çmimeve konkurruese, formulës “ultra all inclusive” dhe fluturimeve direkte charter nga Tirana.

Sipas të dhënave të mëparshme të tregut, Turqia renditet ndër destinacionet më të shitura për periudhën qershor–shtator, me mijëra paketa të kontraktuara çdo vit. Fushata e rezervimeve të hershme nis zakonisht në dhjetor–janar dhe kulmon në fund të marsit, periudhë kur sigurohet një pjesë e konsiderueshme e volumit sezonal.

Perceptimi i rrezikut ndikon menjëherë në treg

Ekspertët e turizmit theksojnë se perceptimi i rrezikut ka ndikim të menjëhershëm në vendimmarrjen e konsumatorit, edhe kur destinacioni nuk është drejtpërdrejt zonë konflikti. Gjeografia e rajonit, raportimet për tensione ushtarake dhe pasiguria mbi hapësirat ajrore mjaftojnë për të shtyrë familjet të presin.

Në praktikë, kjo situatë përkthehet më shumë në shtyrje të vendimit sesa në anulime të menjëhershme. Megjithatë, nëse tensionet zgjasin, agjencitë parashikojnë një zhvendosje të kërkesës drejt destinacioneve të konsideruara më të sigurta si Spanja, Italia dhe Greqia.

Efekt zinxhir në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut

Përveç Turqisë, pasiguria e krijuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Izraelit dhe Iranit pritet të ndikojë edhe destinacione të tjera të preferuara për pushime apo “city break” në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Ndër tregjet që mund të ndiejnë efektin e shtyrjes së vendimeve për prenotime përmenden Emiratet e Bashkuara Arabe – veçanërisht Dubai dhe Abu Dhabi – si dhe Egjipti me resortet e Detit të Kuq, apo Jordania.

Nëse situata stabilizohet në javët në vijim, operatorët presin rikthim gradual të rezervimeve, ndoshta me zhvendosje drejt muajve të vonshëm të sezonit. Por në rast të zgjatjes së tensioneve, ngrirja aktuale e prenotimeve mund të shndërrohet në rënie reale të shitjeve, duke detyruar agjencitë të rishikojnë kontratat dhe strategjitë e çmimeve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit