Transmetuar më 03-03-2026, 22:17

Rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme ka reflektuar menjëherë në pikat e karburanteve në kryeqytet, ku çmimi në disa pika u rrit deri në 4 lekë. Nafta bruto në bursat ndërkombëtare ka kapërcyer 80 dollarë për fuçi, nga 70 dollarë më parë, duke prekur Shqipërinë si vend importues neto të karburantit.

Ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë se nëse situata zgjat, rritja e çmimeve është e paevitueshme dhe kërkojnë masa qeveritare për të shmangur spekulimet, duke përfshirë uljen e taksave dhe fiksimin e çmimit të karburanteve, siç praktikohet në Kosovë. Vetëm vitin e kaluar, konsumi i karburantit në Shqipëri arriti në 761 mijë tonë, nga 683 mijë tonë në vitin 2024, duke rritur nevojën për rezerva të mjaftueshme.

Qeveria ka nxjerrë një projektligj për rezervat shtetërore të naftës, duke kërkuar që çdo kompani importuese të ketë 90 ditë rezerva. Megjithatë, ekspertët theksojnë se Shqipëria ende nuk ka plotësuar të gjitha kërkesat e direktivave të BE për rezervat shtetërore, gjë që e bën vendin të prekshëm ndaj rritjeve të papritura të çmimeve.

Përfaqësues të shoqatës së hidrokarbureve raportojnë se pas konfliktit furnizimi ka ardhur me çmime deri në 900 dollarë për ton, nga 750 dollarë më parë, dhe parashikojnë që çmimi i naftës në Shqipëri mund të rritet deri në 40 lekë në ditët në vijim.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit