

Berlin, 3 Mars 2026
Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin është sulmuar me etiketa fyese me përmbajtje shoviniste në gjuhën serbe, duke përfshirë slogane si “Kosova është Serbi” dhe “Nuk ka dorëzim”. Etiketat u vendosën mbi pllakën identifikuese të objektit diplomatik.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës njoftoi se menjëherë pas incidentit, Ambasada ka kontaktuar autoritetet gjermane. MPJD e konsideron veprimin të papranueshëm, duke theksuar se bie ndesh me normat dhe konventat ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë e misioneve diplomatike dhe dëmton marrëdhëniet ndërmjet shteteve.
Sipas MPJD-së, përdorimi i termave dhe narrativëve fyese ndaj shqiptarëve të Kosovës është i shpeshtë në diskursin publik në Serbi, madje edhe nga zyrtarë të lartë. Në mars të vitit të kaluar, kryeparlamentarja Ana Bërnabiq përdori terma ofendues ndaj mediave nga Kosova, pavarësisht vendimit të një gjykate serbe që i konsideron të papranueshme.
Organizatat vendore të sigurisë theksojnë se incidentet e tilla shpesh shoqërohen me përhapje dezinformatash dhe narrativësh përçarës, sidomos në platforma si Telegram. REL
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






