

Sali Berisha kërkoi sot dorëheqjen e Ramës, e akuzon se po bllokon kërkesën për heqjen e imunitetit të Ballukut. Dhe thirrja: Ditën që do të paraqitet kërkesa për Ballukun, të gjithë përpara parlamentit
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë konferencës së sotme me gazetarët, ka kërkuar publikisht dorëheqjen e Edi Ramës, pasi siç tha, ai është njeriu që po mban peng heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, kërkesë e bërë nga SPAK, në lidhje me hetimet që po bëhen ndaj saj.
Që në nisje të deklaratës Berisha ripërsëriti ‘kërkesën e prerë të dorëheqjes së Edi Ramës si uzurpator i postit të kryeministrit të vendit, – duke e akuzuar se – qëndron në pushtet tërësisht mbi krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve, në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me ligjet e vendit’.
Kryedemokrati u shpreh se, situata është një krizë e thellë e shtetit ligjor, duke vlerësuar se ‘Edi Rama qëndron në pushtet për të mbrojtur vjedhjet e qindra e miliarda eurove të shqiptarëve’ dhe se largimi i tij nga detyra do të sillte përballje të menjëhershme me drejtësinë.
‘Vetëm Porti i Durrësit është të paktën 60 vite burg’ dhe se për aferat e tjera ‘meriton tre jetë t’i kalojë në burgje për vjedhjet që ka bërë’, tha ai.
Lider i demokratëve u shpreh se, mosdërgimi në Kryesinë e Parlamentit i raportit për heqjen e imunitetit të Ballukut bëhet për faktin se ‘është Rama vetë ai që bllokon dërgimin e raportit, për të mos e futur këtë të enjte në axhendën e parlamentit’. Sipas tij, ky veprim përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë në funksionimin e Kuvendi i Shqipërisë dhe minon parimin e ndarjes së pushteteve.
Kryetari i PD-së u shpreh se, e ardhmja evropiane e Shqipërisë nuk mund të mbahet peng nga një njeri si Edi Rama, duke deklaruar se ‘fati i Shqipërisë, fati juaj, fati i fëmijëve tuaj është vetëm në duart tuaja’ dhe duke i bërë thirrje qytetarëve që ‘ditën që do paraqitet kërkesa në parlament, që të gjithë para parlamentit për të mbrojtur Kushtetutën, ligjin, dinjitetin kombëtar’.
Lideri i opozitës shqiptare, tha në konferencën për shtyp se, anëtarësimi në Bashkimi Europian mbetet ‘e ardhmja më e mirë dhe fati më i madh i shqiptarëve’, ndërsa akuzoi kryeministrin se po ‘mbyll përfundimisht dyert e BE-së për shqiptarët’.
‘Kërkesat e partnerëve tanë më kryesorë, nga Komisioni Europian për të mos penguar drejtësinë janë injoruar’, tha Berisha në konferencë, ndërsa foli dhe për artikullin e përbashkët mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, të cilin e cilësoi si dëshmi të një qëndrimi që kërkon të relativizojë procesin e integrimit dhe të lejë shqiptarët pa përfitimet reale të këtij procesi.
FJALA E PLOTE
Në emër të Partisë Demokratike ripërsëris kërkesën e prerë të dorëheqjes së Edi Ramës si uzurpator i postit të kryeministrit të vendit.
Edi Rama qëndron në pushtet tërësisht mbi krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve, në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me ligjet e vendit.
Edi Rama qëndron në pushtet për të mbrojtur vjedhjet e qindra dhe miliarda eurove të shqiptarëve.
Qëndron në pushtet i bindur se në momentin e parë të largimit nga ajo karrige, ai përfundon, në qoftë se për Lubinë u tha 36 vjet burg, u garantoj se për Ramën as 76 nuk mjaftojnë, për serialin e veprave penale.
Vetëm Porti i Durrësit është të paktën 60 vite burg. Le t’i lëmë mënjanë të gjitha.
Djegësi i Tiranës, pra ajo që thashë unë ishte me minimume.
Po Edi Rama meriton tre jetë t’i kalojë në burgje për vjedhjet që ka bërë.
Ndaj dhe ai, gjer në këtë moment që po jap konferencën, nuk ka dërguar në kryesinë e parlamentit raportin e tij për imunitetin e Ballukut.
Them raportin e tij se raporti është i anëtarëve të komisionit, por ai tregoi se aët do ta shoh unë dhe ai ka mbi një javë që e ka në dorë atë.
Pra është Rama vetë ai që bllokon dërgimin e raportit të anëtarëve të komisionit të partisë së krimit në kryesinë e parlamentit për t’u futur këtë të enjte në axhendën e parlamentit.
Siç e shihni të dashur qytetarë, gjithçka tregon se fati i Shqipërisë, fati juaj, fati i fëmijëve tuaj është vetëm në duart tuaja.
Jeni ju dhe vetëm ju që mund të çlironi këtë vend nga kjo organizatë kriminale që nga mëngjesi gjer në darkë vetëm vjedhin, përçmojnë, poshtërojnë shqiptarët.
Është sot më imperative se kurrë që shqiptarët të marrin në duar fatin e tyre, fatin e lirive të tyre, fatin e vendit të tyre.
Edi Rama, kërkesave të fuqishme nga partnerët tanë më kryesorë, nga Komisioni Europian për të mos penguar drejtësinë, iu përgjigj me artikullin e hapur të firmosur së bashku me vëllain e tij Vuçiç, padronin e tij, duke u thënë europianëve se nuk kemi nevojë për integrimin në BE.
Arrin gjer në këtë akt vetëm për të mbrojtur krimet dhe pasuritë e tij të krimit.
Por Edi Rama është një person, është kryeministër, sigurisht, ka edhe një rreth që janë anëtarë të organizatës së tij kriminale, por shqiptarët nuk do lejojnë kurrë që fati i tyre të shkelmohet edhe kësaj here siç u shkelmua nga Enver Hoxha për 46 vite.
Ndaj dhe ftesa ime për mbarë qytetarët shqiptarë, ditën që do paraqitet kërkesa në parlament, që të gjithë para parlamentit për të mbrojtur Kushtetutën, ligjin, dinjitetin kombëtar.
Për të mbrojtur shtetin ligjor, shtetin e të drejtës.
Me vendimin e tij, në këtë mënyrë siç ka ecur, de facto asgjëson drejtësinë.
Askush nuk e mbështet atë në këtë rrugë.
Por askush nuk do të vijë ta heqë atë prej leckash nga zyra e kryeministrit.
Është detyra jonë, është misioni ynë, misioni i qytetarëve shqiptarë të mos pranojnë kurrë t’u mbyllen dyert e Europës nga një kryehajdut i kombit në historinë e Shqipërisë.
Nga një armik i shqiptarëve.
Ndaj dhe sot më shumë se kurrë nevojitet të bashkohemi kundër këtij rreziku të jashtëzakonshëm për fatin tonë, për të ardhmen tonë.
Për sa kohë është BE e ardhmja më e mirë dhe fati më i madh i shqiptarëve është anëtarësimi në BE.
Nuk mundet kurrë një njeri për interesa personale të na mbyllë dyert.
Nuk ka armik më të keq se atë që tenton të na bëjë këtë.
Dhe ky është Edi Rama.
PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET
Cila do të jetë strategjia e opozitës në protestën që do të mbahet para parlamentit, pasi ka patur disa deputetë që kanë thënë publikisht që janë pro ngujimit në parlament.
Sali Berisha: E vërteta është se deputetët prej kohësh kanë shprehur vendosmërinë që të kalojnë dhe në akte sublime, grevë urie dhe asgjë nuk përjashtohet.
Por çdo hap duhet të ndërmerret në momentin e duhur. Mendoj se fjala e sovranit është çështja më kryesore në rendin e ditës.
Sovrani duhet të flasë sepse kjo që po ndodh me shqiptarët është e pashembullt në histori.
Kujtojmë vetëm kaq. Një njeri që për 6 muaj rresht u premtoi shqiptarëve integrimin në 2027, integrimin në 2030, tani që është kapur me presh në dorë si hajdut, u thotë se, nuk kemi nevojë për integrim të plotë.
Dhe njëherë për qytetarët.
Kryeartikulli i padronit Vuçiç dhe argatit Rama në Frankfurte Alemaine Zeitung duhet të kuptohet qartë. Këta dy krerë të organizatave kriminale më të rrezikshme në Europë, i sugjerojnë BE-së që tu akordojë vetëm tregtinë e lirë dhe fondet e procesit të rritjes dhe se këta nuk kërkojnë as votë dhe se këta nuk pranojnë të plotësojnë kriteret e Kopenhagenit as ato që quhen mirësitë që duhet të gëzojë komuniteti nga procesi anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian, mirësi në fushën sociale dhe fusha të tjera.
Pra këta kanë hall vetëm oligarkët e tyre. Këta zotohen se nuk do të zhvillojnë zgjedhje, sepse kriteret e Kopehangenit kanë kusht zgjedhjet e lira. Këta zotohen se do të kontrollojnë drejtësinë, sepse ato kritere kanë drejtësinë e pavarur.
Pra Edi Rama po mbyll përfundimisht dyert e BE-së për shqiptarët, çka kam bindjen më të thellë, se kjo nuk do mund të bëhet kurrë realitet. Shqiptarët asgjë nuk do mund ti pengojë në rrugëtimin e tyre plot sakrifica dhe mundime dhe në tërësi të pandalshëm drejt integrimit të plotë në BE.
Marsi Korreshi, SYRI TV: Zoti Berisha, 12 marsi në fakt është afati i fundit ligjor për të shqyrtuar çështjen e imunitetit të Ballukut në seancë në Kuvend. Po nëse mazhoranca kalon përtej këtij afati, çfarë ndodh?
Sali Berisha: Ka shumë mundësi që kjo po ndodh. Që ata po djegin afatin 3-mujor.
Ka shumë mundësi.
Siç e shihni ju, Edi Rama nuk pranon kurrë të dorëzojë veten në gjykatë.
Bëri përpjekje të jashtëzakonshme për marrëveshje, por nuk i eci.
Lubi Balluku që ky mbron është një kriminele multidimensionale e pashoqe në historinë e Shqipërisë.
Përveç vjedhjeve të saj bashkë me Ramën, bashkë me ish-burrin e saj, e morët vesh ju, atë e ka me divorc gjoja, por jo për të vjedhur, për të vjedhur janë bashkë me Kol Ballën.
Transaksionet e tij janë të pafundme bashkë me sojin dhe sorollopin e saj.
Ka bërë përpjekje të hapura për të dëmtuar provat.
Ka kërcënuar zyrtarët e drejtësisë me banda dhe banditë, çka fakton se të gjitha kërcënimet që i janë bërë prokurorëve të SKAP janë bërë nga qeveritarët me bandat e tyre.
Po, u janë dërguar mesazhe kërcënuese, vdekjeprurëse dhe prapa tyre qëndron e tëra Lubia dhe Edi Rama.
Faktikisht me këto veprime ai asgjëson sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
Sistemi i drejtësisë groposet, çka nuk ka ndodhur edhe kur shtet nuk kishin, kishin ligjin e tyre shqiptarët. Kishin kodin e tyre civil, kodin e tyre penal, kishin gjykatat, pleqësitë, etj.
Kjo që po bën ky është e pashembullt në historinë e shqiptarëve.
Por të gjitha faktojnë se strumbullari i të gjitha këtyre është ai vetë.
AKSHI është vorbulla më e zezë në historinë e shtetit shqiptar.
Ergys Agasi është Edi Rama, njeriu që organizon vrasje, njeriu që organizon vjedhjen e të gjitha të dhënave të qytetarëve shqiptarë për t’ua dhënë bandave dhe armiqve të Shqipërisë.
Ergys Agasi, me videot e tij, i ka kompromentuar këta më shumë se ato të Epstein janë lule çfarë ka zyra e Agasit, duke filluar nga Rama vetë dhe vazhduar me ministra, me drejtues kryesorë institucionesh, me prokurorë, me gjykatës, me policë, etj.
Pra, janë shqiptarët ata të cilët do thonë fjalën e tyre.
Vetëm një gjë, sot askush nuk mund të thotë se unë nuk e dita.
Nuk duhet të abuzoj me krahasime, por rikujtoj këtu një moment në vitin 1991 në parlament, kur një eksponent i PS u ngrit e tha, nga ta dija unë se Enver Hoxha kishte tre dynym qilima persianë në shtëpi.
Ai nuk e dinte atë.
Ai dinte që Enver Hoxha ka vrarë, ka prerë, i ka bërë të gjitha, por për ato ishte bashkautor vetë. Kurse tek qilimat nuk e dinte.
Kurse tani për Edi Ramën dihen të gjitha.
Nuk mund të thotë njeri që nuk dita.
Ndaj dhe duhet të dalim, të bashkohemi, t’i japim atë që meriton atij dhe organizatës së tij kriminale.
Marshi Korreshi, SYRI TV: Në ditën që Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç kanë publikuar një artikull të përbashkët, Vuçiç në rrjetet e tij sociale publikoi një shënim: Kosova është Serbi, ishte dhe do të jetë, fundi i historisë. Ky bashkërendim i Ramës dhe Vuçiç a i dëmton interesat e Kosovës.
Sali Berisha: Totalisht. Mos harro një gjë. Në një moment acarimesh të marrëdhëniesh Kosovë-Serbi, Edi Rama është personi që deklaroi, se Kosova do të kthehet në moshën e bronzit, duke lënë të nënkuptojë se jo fuqitë konsensionale, por edhe ato bërthamore mund të përdoren drejt saj.
Kosova nuk ka patur një armik më të egër se Edi Rama në tërë ekzistencën e saj.
Shikoni ju, në studiot televizive shqiptare se, si agjentët e Beogradit kalojnë si hiena nga një studio në tjetrën për të mbrojtur Edi Ramën me porosi të Vuçiçit, i keni parë vetë ju. Shikoni Stanishiçin se si prenotohet në 3 studio në një natë, me detyrim nga Edi Rama për të zbatuar urdhrat e Vuçiçit në mbrojtje të tij.
Duhet të them se, ai armiqësinë ndaj Kosovës e ka të lidhur direkt me Vuçiçin dhe trashëgiminë e tij. Çfarë u thotë ky sot për padronin e tij në një kohë kur ai ka deklaruar haptas së mbështet Iranin dhe e ka bërë këtë sepse ka marrë ‘Shahidë’ nga Irani për ti përdorur kundër shqiptarëve.
Lexoni pak se çfarë thotë ai për sulmet e SHBA dhe Izraelit ndaj Iranit. Se si dënon ai vrasjen e diktatorit me mizor që Irani ka njohur në histori. As Edi Rama nuk e ka përshëndetur këtë. Si mund të shkruash ti një letër, je skllav i tij, Edi Rama është argat i tij, zbaton vetëm urdhra.
Pyeteni pak si mund të firmosësh një letër, si mund të barazosh ti Shqipërinë me atë armik të egër, publik, të NATO-s dhe jo vetëm të shqiptarëve. Sepse është argati i tij, nuk ka shpjegim tjetër.
Ndaj dhe shqiptarët, është fjala e tyre, është ora e tyre, është koha e tyre. Në kryengritje paqësore në duhet ti japim përgjigjen më të shpejtë, më të merituar.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






