Transmetuar më 03-03-2026, 16:53

Çfarë pritet nga protesta para Kuvendit? Berisha flet për hapat e reja të opozitës

Kreu i opozitës, Sali Berisha, ka folur për strategjinë që do të ndjekë opozita në protestën e paralajmëruar para Parlamentit, në një kohë kur disa deputetë kanë deklaruar publikisht se janë pro ngujimit në Kuvend.

Berisha u shpreh se deputetët prej kohësh kanë treguar vendosmëri për të ndërmarrë edhe veprime ekstreme.

“E vërteta është se deputetët prej kohësh kanë shprehur vendosmërinë që të kalojnë dhe në akte sublime, grevë urie dhe asgjë nuk përjashtohet,” deklaroi ai.

Megjithatë, ai theksoi se çdo hap duhet të ndërmerret në momentin e duhur.

“Por çdo hap duhet të ndërmerret në momentin e duhur. Mendoj se fjala e sovranit është çështja më kryesore në rendin e ditës,” u shpreh Berisha.

Sipas tij, qytetarët duhet të shprehen për situatën aktuale politike, të cilën ai e cilësoi si të paprecedentë.

“Sovrani duhet të flasë sepse kjo që po ndodh me shqiptarët është e pashembullt në histori,” tha ai.

Berisha gjithashtu kritikoi kryeministrin lidhur me deklaratat për integrimin europian, duke thënë se premtimet për afate konkrete janë ndryshuar.

“Kujtojmë vetëm kaq. Një njeri që për 6 muaj rresht u premtoi shqiptarëve integrimin në 2027, integrimin në 2030, tani që është kapur me presh në dorë si hajdut, u thotë se nuk kemi nevojë për integrim të plotë,” deklaroi ai.

Protesta e opozitës pritet të zhvillohet para Parlamentit, ndërsa mbetet për t’u parë se cilat do të jenë hapat konkretë që do të ndërmerren nga deputetët.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit